Flamurtari-Besa, Bizhdili nostalgjik para transfertës: Kjo është Superiorja!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2022 | 10:18

Flamurtari-Besa, Bizhdili nostalgjik para transfertës: Kjo është Superiorja!

Pas një viti mungesë, rikthehet Flamurtari-Besa. Luhet në Kategorinë e Parë, por tradita nuk mund të zhbëhet. Bëhet fjalë për dy klube të mëdha, që kanë tejmbushur gjithnjë stadiumet. Këtë kujton edhe Nexhat Bizhdili para transfertës vlonjate, gjë që e pohon edhe për “Panorama Sport”.

Bizhdili-2

“Nëse një emigrant që ka vite pa ardhur në Shqipëri mëson se luhet Flamurtari-Besa, besoj se do të nxitonte ta shihte atë, duke mos e ditur se dueli i takon Kategorisë së Parë.

Jo vetëm duelet me Flamurtarin, por edhe me Skënderbeun, Dinamon, Lushnjën apo Apoloninë e Tomorin e bëjnë Kategorinë e Parë vërtet si ‘Superiorja 2’ me këtë përbërje.

Mjafton t’u kujtoj ndeshjen dramatike që patëm me Apoloninë në Peqin, për të sintetizuar pikërisht rivalitetin dhe cilësinë e lartë në këtë ligë.

Këtu nuk dua aspak të nënvlerësoj Orikun, Besëlidhjen, Luzin e të tjera ekipe, por skuadrat që citova kanë luajtur me dekada në Superiore dhe për ironi të futbollit edhe ekipi më i trofeshëm i viteve të fundit, Skënderbeu, garon në të Parën.

Për të gjitha këto arsye, mendoj se ky sezon do të jetë më i forti i dekadës së fundit në Kategorinë e Parë. Duke u rikthyer te përballja e nesërme (sotme), as Flamurtari e as Besa nuk kanë Ruçin, Kushtën, Tahon apo Bajazitin, Pagrinë e Karriqin, por ju siguroj nuk janë pa gjë.

Flamurtari dëshmoi me Vllazninë se çfarë mund të bëjë, siç bëmë edhe ne me Apoloninë. Të dyja ekipet po kalojnë formë të mirë e unë pres një përballje sa më të fortë.

Vlonjatët do të kërkojnë fitoren, dihet pasi luajnë në shtëpi, por edhe Besa ka ambiciet e saj në këtë takim. Ajo që le të themi ‘më ka mërzitur’ tek ekipi im, mbetet pragmatizimi dhe efikasiteti para portës.

Pres që në Vlorëtë të jenë më të saktë para portës. Uroj që tifozët të kënaqen, rezultatin t’ia lëmë fushës”, përfundoi kreu i klubit verdhezi.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"