“Flamurtari, aksidentalisht në të Dytën”, Ramadani: Eliminojmë Vllazninë, dua të fitoj Kupën e Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2022 | 11:33

“Flamurtari, aksidentalisht në të Dytën”, Ramadani: Eliminojmë Vllazninë, dua të fitoj Kupën e Shqipërisë

Behar Ramadani dëshiron të fitojë Kupën e Shqipërisë me Flamurtarin. Pavarësisht humbjes në ndeshjen e parë, në Vlorë kanë nisur të ëndërrojnë gjysmëfinalen. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori e cilëson një aventurë ndryshe këtë që po përjeton me kuqezinjtë dhe shkak sigurisht është kategoria. Shkodrani nuk e diskuton aspak ngjitjen e skuadrës, por një koment e ka edhe për Vllazninë.

BEHAR RAMADANI

Humbët 1-2 me Vllazninë, por Flamurtari ka ende shpresa për kalimin e turit. Si shkoi ndeshja e Kupës së Shqipërisë?

Ishte një ndeshje që e kishim vlerësuar maksimalisht. Patjetër që ishte e vështirë, por ne luajtëm pa presion. Kemi objektiva të tjerë parësorë. Lojtarët bënë detyrën, pavarësisht rezultatit. Megjithatë, çdo gjë mbetet ende e hapur…

Do të donit ta eliminonit Vllazninë?

Jo vetëm Vllazninë… Dëshira është ta fitoj Kupën e Shqipërisë me Flamurtarin. Nuk është aspak e lehtë, pasi nuk jemi në kushte të barabarta me asnjë nga skuadrat e ngelura në këtë kompeticion. Dihet që në kategorinë ku jemi, është një rregull që të kufizon në afrimin e futbollistëve jashtë qarkut. Gjithsesi, do të shkojmë në ndeshjen e kthimit për të bërë maksimumin dhe tentuar kualifikimin. I dimë fare mirë vështirësitë, por do të japim më të mirën tanë. Nëse luajmë siç bëmë në ndeshjen e parë, pse të mos shpresojmë?!

Sa emocionuese ishte të luanit përballë ekipit “mëmë”?

Normalisht që është një emocion ndryshe kur luan kundër ish-skuadrës, por vetëm kaq.

Si ju duket kjo Vllazni, e shikoni pretendente për kampionatin?

Vllaznia është ekip i fortë dhe nëse do jenë me këmbë në tokë gjatë gjithë kohës, unë them se do të jenë pretendentë deri në fund.

Idrizi ka thënë se ka më shumë elementë cilësorë në skuadër se Vllaznia, si e lexoni këtë deklaratë?

Çdo njeri ka opinionin e tij dhe shefi ka parë diçka që e ka bërë atë deklaratë. Në sytë e tij ne jemi më të mirët dhe ne e vlerësojmë shumë këtë gjë.

Si po ju duket aventura te Flamurtari?

Është aventurë ndryshe nga çfarë jam mësuar deri tani duke parë kategorinë ku luajmë. Por jam duke bërë më të mirën dhe duke dhënë maksimumin tim në këtë skuadër dhe jemi përshtatur, patjetër.

Ngjitet Flamurtari në Kategori të Parë?

Me ndihmën e Zotit, shumë shpejt do shkojmë aty ku e ka vendin. Flamurtari është emër i madh dhe me tradita në futbollin shqiptar. Këtu ndodhet aksidentalisht.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"