“Flamurtar, shiko akademinë”, Daniel Xhafaj jep “recetën” për vlonjatët: Fokusohuni te…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2020 | 22:59

“Flamurtar, shiko akademinë”, Daniel Xhafaj jep “recetën” për vlonjatët: Fokusohuni te…

Daniel Xhafajt i “dhemb” rënia e Flamurtarit, e megjithatë është i bindur se ringjitja në Kategorinë Superiore do të jetë e shpejtë. E megjithatë, që kjo të ndodhë, ai mendon se klubi duhet të bazohet vetëm te të rinjtë. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi thotë se investimi duhet të bëhet tek akademia, pasi vetëm kështu do të kenë një të ardhme të garantuar.

Xhafaj Flamurtari

Nuk ngurron që të vlerësojë paraqitjet e bëra këtë vit, ndonëse verdikti final është ndër më të errëtit në historinë e klubit. Vlonjati pret që skuadra ta mbyllë me dinjitet rrugëtimin në elitë, ndaj ka një këshillë për lojtarët para ndeshjes që luhet nesër me durrsakët. Nuk kishte si të mos jepte një koment edhe për ish-skuadrat e tij, Tiranën dhe Teutën.

Flamurtari ka rënë nga Kategoria Superiore. Si e priti Danieli këtë verdikt?

Më vjen shumë keq. Është ekipi i qytetit tim dhe ku kam kaluar një periudhë të bukur dhe shumë të mirë. Është një skuadër dhe një klub që i ka dhënë tonin futbollit shqiptar dhe për këtë duhet që të jemi të gjithë krenarë. Tradita dhe emri i madh që kanë do ta ndihmojnë që të rikthehen sa më shpejt aty ky e kanë vendin. Do të jetë përkohësisht në atë kategori. Duhet që të mendojmë pozitivisht.

Dhe si mund ringrihet sërish ekipi?

Me të mbaruar ky sezon, mendoj duhet të bëjnë një plan-program për të ngjitur ekipin në elitën e futbollit. Duhet bërë një investim, që në fokus të ketë akademinë. Duke ngritur akademinë dhe duke formuar lojtarë të rinj, them se ata do të ndikojnë shumë te Flamurtari dhe do ta kenë më të thjeshtë ngjitjen. Në fakt, kjo duhet të ndodhë. Flamurtari e ka vendin tek ekipet më të mira.

Si e keni parë deri tani ecurinë e Flamurtarit në këto javë?

Kanë bërë mirë. Flamurtari ka elementë shumë të mirë në përbërje. Në këto kushte them se duhet t’u jepet mundësia të ardhmes. Të promovohen këta lojtarë të rinj për të krijuar boshtin për të ardhmen. Nëse e bëjnë këtë gjë, do të rikthehen shumë shpejt dhe e ardhmja do të jetë më e mirë dhe më e sigurt.

Ndeshja e radhës luhet me Teutën, si e shikoni?

Është ndeshja e fundit në Vlorë, si pjesë e Superiores. Këtë koment kam… Flamurtari nuk ka çfarë të humbasë dhe nuk është aspak në presion në këtë 90-minutësh. Të luajnë lirshëm, të bëjnë lojë të bukur.

Po ecurinë e Teutës si e vlerësoni?

Ka bërë shumë mirë deri tani. Është finalistja e Kupës se Shqipërisë dhe njëherësh në zonën e Europës. Këto janë gjëra shumë pozitive dhe që e kanë çuar drejt suksesit. Teuta ka një grup shumë të mirë dhe që janë shumë të rëndësishëm për të ardhmen.

Tirana u shpall kampione e Shqipërisë këtë sezon. E merituan?

I shpreh urimet e mia më të mira. Tirana ka tifozë të zjarrtë dhe kishin kohë të gjatë pritjeje. Titullin kampion e meritojnë plotësisht.

ERMAL SIKA  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"