Fituesi i Kupës kalon në turin e dytë të Ligës së Konferencës, Vllaznia-Laçi luhet për 590 milionë lekë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2022 | 15:18

Fituesi i Kupës kalon në turin e dytë të Ligës së Konferencës, Vllaznia-Laçi luhet për 590 milionë lekë

Vllaznia dhe Laçi do të diskutojnë sot në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania” trofeun e 70-të të Kupës së Shqipërisë. Takim i rëndësishëm për të dyja ekipet, kryesisht për shkodranët, pasi vetëm fitimi i trofeut u siguron pjesëmarrjen në Europë.

GUINDO LACI VLLAZNIA

Këtë sezon fituesi i Kupës është me fat, pasi në dallim nga e shkuara kalon direkt në turin e dytë të Ligës së Konferencës, ku sido që të vejë fati i pjesëmarrjes, të sigurta kanë 450 mijë euro shpërblim nga UEFA.

Gjithashtu, dihet që FSHF akordon edhe një shpërblim disi simbolik për fituesin e trofeut të dytë më të rëndësishëm në vend, siç është Kupa e Shqipërisë. 50 milionë lekë (të vjetër) është shpërblimi që FSHF jep për fituesin e Kupës.

Duke mbledhur këto dy shpërblime të sigurta, nga pjesëmarrja në turin e dytë të Ligës së Konferencës dhe bonusi si fitues i Kupës nga federata, i bie që sot Vllaznia dhe Laçi të luajnë për 590 milionë lekë, buxhet i garantuar që mund të zbusë shumë investimin për në sezonin e ri për ekipin fitues.

Vllaznia është trofembajtësja e Kupës, pasi në sezonin e shkuar në finale mundi 1-0 Skënderbeun me golin e Viktor da Silvës në minutën e 40-të.

Shkodranët do të synojnë sot trofeun e tetë të Kupës së Shqipërisë, ndërsa për Laçin në rast suksesi do të ishte kupa e tretë. Përfitimi si fitues i Kupës këtë vit është më i madh, nga fakti që aventurën europiane e nisin nga turi i dytë i Ligës së Konferencës, ku kanë të sigurta 450 mijë euro (ose 540 milionë lekë me kursin aktual të këmbimit të valutave).

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"