Fituan titullin kampion në basketboll, Tirana merr urimin nga rivalët historikë të Partizanit me një “thumbim”
Tirana në basketboll për meshkuj fitoi një ditë më parë titullin e 21-të kampion në histori. Një trofe që erdhi pas një përmbysje të çmendur në finalet “play off” kundër Besëlidhjes, nga 0-2 në 3-2 për bardheblutë e Erkand Karajit, të cilët rikthehen në majën e sportit të koshit pas 5 vitesh.
Ndërkohë për këtë sukses të Tiranë nuk ka munguar as urimi nga rivalët e qytetit. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Shoqata Partizani i përgëzon bardheblutë për suksesin, por nga ana tjetër nuk i kurse thumbimet ndaj Federatës Shqiptare të Basketbollit për çështjen e arbitrimeve.
Ja postimi i plotë i Shoqatës Partizani Basket:
“Shoqata Partizani Basket uron Tiranën për fitoren spektakolare ndaj Besëlidhjes për titullin kampion kombëtar në basketboll për meshkuj. Përgëzojmë ekipin kampion që solli titullin në qytetin e Tiranës, edhe për reagimet e forta ndaj FSHB, që imponuan një gjykim profesional dhe të paanshëm gjatë finales, ndryshe nga sa ndodhi gjatë kampionatit. Urime skuadres kampione!”, shkruan Shoqata Partizani në publikimin e bërë në rrjetet sociale.
Kujtojmë se Partizani prej disa dekadash është shumë larg lavdisë së dikurshme, ndërsa aktualisht militon në nivelin e dytë ta basketbollit shqiptar. Megjithatë, të kuqtë mbetet ekipi më fitues në historinë e basketbollit në Shqipëri, me plot 33 tituj kampionë.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"