Fitorja nuk qetëson shkodranët, Josa “shkund” ekipin para Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2022 | 15:37

Fitorja nuk qetëson shkodranët, Josa “shkund” ekipin para Flamurtarit

Vllaznia e Mirel Josës është rikthyer dje te përgatitjet në prag të ndeshjes që do të zhvillojë më 26 shtator në transfertën e Vlorës kundër Flamurtarit. Ky takim i vlefshëm për turin e parë të Kupës së Shqipërisë është vlerësuar në maksimum nga shkodranët, duke pasur parasysh edhe precedentin e edicionit të kaluar, ku Vllaznia ia doli të eliminonte kuqezinjtë me shumë vështirësi.

MIREL JOSA 3

Dje, me përjashtim të Liridon Latifit dhe Lorik Boshnjakut, që ende nuk kanë kaluar dëmtimet, por gjithashtu të rinjve Flori Spahija, Geralb Smajli dhe Antonio Delaj, të cilët janë grumbulluar me Kombëtaren U-20, të gjithë lojtarët e tjerë ishin të gatshëm për trajnerin Josa. Këtu përfshihet edhe malazezi Darko Bulatoviç, i cili mungoi në takimin ndaj Kastriotit për arsye dëmtimi dhe tashmë i është kthyer stërvitjes. Megjithatë, “Panorama Sport” mëson se mbrojtësi ndien ende dhimbje në pulpën  ekëmbës së djathtë, por gradualisht do të futet në stërvitje me grupin.

Stërvitja e së mërkurës ka zbardhur edhe dilemën për mesfushorin 19-vjeçar, Rejan Alivoda, për të cilin u mendua se kishte pësuar tërheqje muskulore, por ka qenë vetëm një kontraktim dhe kësisoj ai është përgatitur normalisht me pjesën tjetër të grupit.

SITUATA- Ndërprerja e kampionatit duket se ka mbërritur në momentin e duhur për Vllazninë. Deri në ditën e ndeshjes me Flamurtarin për Kupë dhe atë në kampionat me Teutën, e parashikuar për më 30 shtator, duket se koha premton që trajneri Josa të ketë në dispozicion grupin e plotë. Nga ana tjetër, pritet që trajneri ta shfrytëzojë këtë periudhë për të rikuperuar në ato pika që skuadra ka vuajtur në 5 javët e para. Kjo kohë duket e mjaftueshme për t’i shërbyer stafit teknik dhe mjekësor për rikuperimin e ndonjë futbollisti që ka qenë i dëmtuar.

Megjithatë, nga sa mësohet, me përjashtim të Bulatoviçit që duket se po jep shpresa për një rikthim për dy ndeshjet e radhës, gjasat janë që Boshnjaku dhe Latifi të mungojnë edhe në ndeshjen e radhës. I pari vijon me terapi, ndërsa i dyti ende nuk jep garancinë e duhur që të jetë i gatshëm, teksa është dëmtuar që në ndeshjen e javës së dytë ndaj Kukësit.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"