Fitorja nuk mjafton te Apolonia, Demiraj akuzon arbitrat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2017 | 9:54

Fitorja nuk mjafton te Apolonia, Demiraj akuzon arbitrat

Apolonia ka rimarrë vendin e katërt, pasi ka fituar në një transfertë shumë të vështirë ndaj Elbasanit. Triumfi me verdheblutë ka rritur adrenalinën te skuadra e trajnerit Elidon Demiraj. Ky i fundit, pavarësisht triumfit, nuk i ka kursyer kritikat për gjykimin.

demiraj

“Nuk dua të merrem asnjëherë me gjyqtarët dhe të gjej justifikimin e rezultatit të arritur tek ata. Por, në ndeshjet e fundit, duke iu referuar dhe kësaj me Elbasanin, po hasim në gjykime të dobëta që nuk arrij t’i konceptoj. Arbitrat gabuan pa fund gjatë gjithë takimit, ku unë do të përmend ndëshkimin me një penallti të paqenë në sekondat e fundit të pjesës së parë dhe kartonin e kuq ndaj lojtarit tonë Mehmeti.

Por, falë kolektivitetit, shpirtit të lartë të garës dhe karakterit të sportistëve, arritëm të shënonin dhe dy herë të tjera pas barazimit me një penallti që nuk ekzistonte dhe ia dolëm me sukses duke marrë tri pikë të çmuara”, ka thënë trajneri Demiraj.

Derbi

Objektivi i Apolonisë në këtë sezon është që të renditet mes ekipeve që kryesojnë grupin. Diferenca e vogël e pikëve që ka nga vendi i tretë me të katërtin e deri tek i gjashti mund të bëjë që, deri në fund të kampionatit, shumë situata të ndryshojnë.

Lushnja-Apolonia

“Kjo tregon se lufta sportive dhe rivaliteti është i madh dhe për të zënë një vend në pesë skuadrat më të mira, duhet shumë punë. Megjithatë, ne shikojmë vetëm ndeshjet tona dhe nuk merremi me të tjerët. Na kanë mbetur dhe dy javë nga përfundimi i fazës së dytë dhe ne do t’i marrim sfidat një nga një.

Tani na duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës që do ta luajmë në shtëpi me ekipin kryesues të Lushnjës. Një ndeshje e vështirë, ku ne duhet të tregojmë sërish vlerat e skuadrës sonë dhe të arrijmë një rezultat të suksesshëm, pasi kështu do të mund të realizojmë dhe objektivin tonë për të vazhduar të jemi midis pesë ekipeve më të mira të grupit”, ka përfunduar Demiraj deklaratën e tij.

MIKEL MBRIÇAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"