Fitorja “ngroh xhepat”, te Korabi bëhen me lekë para festave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2016 | 13:46

Fitorja “ngroh xhepat”, te Korabi bëhen me lekë para festave

Pas ndeshjes me Flamurtarin, të cilën e fituan me rezultatin minimal 1-0, lojtarët e Korabit kanë marrë pushimet e fundvitit. Por, ashtu siç kishin premtuar, drejtuesit kanë dhënë edhe një shpërblim për të gjithë skuadrën, ndërkohë që kanë shlyer edhe financiarisht lojtarët në bazë të kontratave që ata kanë me klubin.

Korabi-Flamurtari

Aktualisht Korabi, i cili drejtohet nga Gerd Haxhiu, është në kuotën e 11 pikëve, çka do të thotë pesë pikë larg zonës që të lejon mbijetesën në Superiore. Me uljen e Haxhiut në stol, duket se dibranët kanë arritur të gjejnë balancën si në lojë, ashtu edhe në rezultate, duke u kthyer në një skuadër që u ka hapur probleme ekipeve që janë në garë për të fituar titullin kampion. Një gjë e tillë ka bërë që edhe drejtuesit të reagojnë dhe t’i respektojnë deri në fund kontratat financiare me futbollistët.

Programi

Rikthimi i Korabit në fushën e lojës për të vazhduar me përgatitjet për dy fazat e mbetura të sezonit do të nisë mes datës pesë dhe shtatë janar. Stafi teknik do të ketë një periudhë të konsiderueshme në dispozicion për të përgatitur skuadrën, por edhe për të menduar në lidhje me merkaton.

Ende nuk ka asnjë tratativë me lojtarë të veçantë, por pritet që në këtë drejtim të ketë zhvillime si me lojtarët që do të largohen, ashtu edhe me ata që do të afrohen si blerje. Gjithashtu do të vazhdojnë punimet në stadiumin e Peshkopisë dhe parashikohet që fazën e tretë të kampionatit, Korabi ta luajë në shtëpi. Aktualisht kurbinasit luajnë ndeshjet si ekip pritës në stadiumin e Peqinit, por një gjë e tillë mund të ndryshojë.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"