“Fitorja në Gjirokastër është një detyrim”, Shkëmbi karikon Teutën: Si një finale për ne…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2019 | 9:01

“Fitorja në Gjirokastër është një detyrim”, Shkëmbi karikon Teutën: Si një finale për ne…

Bledi Shkëmbi men don se ndeshja ndaj Luftëtarit vlen vetëm tri pikë për Teutën. Trajneri i durrsakëve doli dje para mediave, ndërsa shprehu rëndësinë që ka ky takim për ekipin që drejton. Në sezonin e kaluar, “djemtë e detit” dolën dy herë të mundur nga fusha e Gjirokastrës, por sot do të tentojnë triumfin për të qenë sa më afër kreut.

bledi shkembi

Shkëmbi vlerëson kundërshtarin dhe pret që ky 90-minutësh të shërbejë edhe për zhbllokimin e sulmuesve Khalid e Nikaç. Ky i fundit të vetmin gol që ka shënuar deri më tani me fanellën e Teutës, është pikërisht ai ndaj Luftëtarit në javën e tretë në “Niko Dovana”.

Do të luani ndaj Luftëtarit. Cila është rëndësia e kësaj përballjeje?

Tri pikët janë më të rëndësishmet në këtë takim. Është një përballje e vështirë, pasi skuadrat e ashtuquajtura të vogla apo që duken sikur kanë probleme, ta bëjnë edhe më të vështirë ndeshjen. Kemi folur shumë me lojtarët dhe shpresoj që të arrijmë atë që kërkojmë. Fitorja duhet të jetë detyrim për ne, edhe pse në futboll nuk ka detyrime. Do të shkojmë që të marrim tri pikë, sepse vetëm kështu jemi OK.

Keni vuajtur shumë ndaj ekipeve që janë më poshtë se ju në tabelë…

Nuk jam dakord, sepse Teuta ka vuajtur edhe me ekipet e forta. Gjithçka varet nga momenti. Duhet të shohim para, jo çfarë ka ndodhur. Unë mendoj se na pret një ndeshje e vështirë, ndoshta është si një finale për ne, sepse tri pikët do të na mbanin në rrugën e duhur.

Pas 11 javësh kampionat, mendoni se ka ardhur momenti që sulmuesit Khalid dhe Nikaç të gjejnë rrugën e rrjetës?

Të gjithë duam të shpërthejnë sulmuesit, por kjo gjë duhet bërë në fushën e lojës. Shpresoj të jetë ndeshja e duhur që lojtarët e këtij reparti të shënojnë. Nuk janë vetëm ata të dy, janë edhe të tjerë që duhet të ndihmojnë sulmuesit dhe të gjejnë rrugën e rrjetës.

Shkembi2

Keni shënuar vetëm 8 gola. Do të ndryshoni strategji për lojën?

Nëse do të dija ndonjë skemë që të shënoheshin më shumë gola, atëherë do të luaja në atë mënyrë. Duhet të vazhdojmë me idenë tonë, të luajmë futbollin që kërkojmë. Shpresoj që kjo ndeshje të jetë një ogur i mirë dhe të shënojmë.

Në sezonin e kaluar keni humbur në transfertë të dyja takimet ndaj Luftëtarit. Sa ndikon kjo dhe a do të jetë tashmë më e lehtë kur në fushë do të jenë Rustem Hoxha dhe Albano Aleksi, të cilët e njohin mirë kundërshtarin…?

Në fakt, nuk jam një tip që merrem sa herë kam humbur apo fituar me një ekip. Aleksi dhe Hoxha janë lojtarët tanë, ndër kryesorët. Sigurisht, do të jetë një plus për ne, pasi nga kundërshtari kanë ikur ndoshta dy lojtarët më të mirë që ka pasur.

Shpesh në stërvitje keni kërkuar që jo vetëm sulmuesit, por edhe mesfushorët të tentojnë portën nga distanca të ndryshme, mirëpo kjo nuk ka ndodhur. Mos ndoshta u mungon besimi apo kanë frikë të godasin nga jashtë zonës?

Nuk jam dakord që kanë frikë të gjuajnë në portë, të luftojnë apo të luajnë futboll. Patjetër trajnerët kërkojnë më shumë, por jo çdo gjë bëhet në fushë. Punojmë në të dyja fazat e lojës dhe javë pas jave besoj se do të bëjmë maksimumin. Unë kam besim te lojtarët.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"