“Fitorja ndaj Vllaznisë ndez kampionatin”, Duro: Josa ka ndryshuar mendim për shkodranët, e përsëris që…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2021 | 14:02

“Fitorja ndaj Vllaznisë ndez kampionatin”, Duro: Josa ka ndryshuar mendim për shkodranët, e përsëris që…

Trajneri Shpëtim Duro fitoren e parë në krye të pankinës së Laçit e arriti në fazën e parë ndaj Vllaznisë, gjë të cilën tekniku kryeqytetas synon ta arrijë edhe sot në “Loro Boriçi”. Pa dyshim, fitorja e Laçit është e shumëpritur edhe nga ndjekësit e tjerë. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” Duro pohoi se së pari suksesi u intereson për vete, por me siguri ai do ta bënte edhe më interesant kampionatin, duke u dhënë shpresë edhe ndjekësve të tjerë. Trepikëshi është maksimumi për kurbinasit në Shkodër, por duke parë situatën, edhe barazimi e kënaq trajnerin Duro. Në dallim nga trajneri i Kukësit, Mirel Josa, Duro mbetet i mendimit që ka thënë më herët duke e parë Vllazninë si favoriten kryesore për kampione. Sa i përket sfidës me Brdariçin, me të cilin kanë edhe të përbashkëta, trajneri i Laçit ua lë në dorë futbollistëve se si do ta interpretojnë takimin.
Shpetim Duro

Pas dy fitoreve me ekipe pretendente, luani në Shkodër ndaj kryesuesve. Si është gjendja e skuadrës suaj dhe çfarë prisni nga ky takim?
Laçi ndodhet në një moment të mirë, pasi kemi arritur dy fitore, një në transfertë dhe një në fushën tonë. Këto janë fitore ndaj skuadrave pretendente, si Tirana dhe Teuta. Normalisht që na pret një tjetër ndeshje e vështirë me skuadrën e vendit të parë, që për momentin është më e mira. Pas këtyre dy fitoreve të rëndësishme, situata në ekip është shumë pozitive, për sa i përket aspektit moral.
Laci-Vllaznia
Një fitore e Laçit me Vllazninë e hap kampionatin?
Është një ndeshje ku nuk parashikohet rezultati. Ashtu si Vllaznia që ka skuadër të mirë dhe ka bërë paraqitje pozitive, edhe Laçi ka skuadër të mirë. Kështu që, rezultati nuk parashikohet, por patjetër që një fitore jona do të hapë kampionatin, jo vetëm për Laçin, por edhe skuadrat e tjera që janë rivalizuese. Ndaj, një rezultat i tillë do të ishte pozitiv në këtë aspekt.

Duke qenë se luani jashtë dhe me vendin e parë, a ju kënaq barazimi?
Në këto situata dhe lloj ndeshjesh janë të pranishme të tria rezultatet. Normalisht që edhe barazimi është rezultat i mirë, por për momentin na kënaq maksimumi. Në mënyrë që të rihapet kampionati, na kënaq fitorja. Kjo nuk është në dorën tonë, por si do të zhvillohet ndeshja dhe cila do ta interpretojë më mirë. Pra, skuadra që do të luajë më mirë, do ta meritojë në fund të ndeshjes.

Besoj se të gjithë ndjekësit kërkojnë dhurata nga ju, meqë vetë nuk ia dolën ta mundnin Vllazninë…
Ne llogaritë i kemi me interesat tanë, jo çfarë u intereson të tjerëve. Duhet pranuar se nga rezultati që do të arrijmë ne në këtë ndeshje kanë varësi edhe skuadra të tjera, të cilave u intereson që kampionati të bëhet më interesant.
vllaznia (1)
Keni thënë që Vllaznia është 99% kampione, tani keni ndryshuar mendim?
E kam thënë dhe e përsëris edhe në këtë moment që skuadra e Vllaznisë i ka të gjitha shanset, madje më shumë se të gjitha të tjerat, për të dalë kampione. I referohem kryesimit deri në këto momente, por është diçka tjetër se si do të interpretojë pjesën në vazhdim të kampionatit. Nisur nga kjo ecuri, them se Vllaznisë i lejohen edhe disa gabime. Shembulli konkret janë dy javët e fundit ku shkodranët kanë barazuar, por ruajnë vendin e parë në të njëjtat pozita, pasi edhe rivalët e shkodranëve nuk e kanë luksin që të jenë 100%. Në këtë aspekt, skuadra e Vllaznisë është më e favorizuar.
Mirel Josa Kukesi
Josa ka thënë se është kundër kësaj deklarate të Shpëtimit, duke përmendur faktin se Vllaznia mund të ketë përparësi 60%…
Nuk e di se çfarë ka thënë Mireli, por ky është mendimi im. Megjithatë, unë e kam dëgjuar Josën të thotë ndryshe para se të bëhej trajner i Kukësit. Unë atë e kam mik dhe i uroj suksese në detyrën e re meqë po më jepet rasti. Mireli e ka thënë para meje që Vllaznia është kampione. Ndoshta ai paska ndryshuar mendim, ndërsa unë i mbetem po atij mendimi.
brdaric
Me Brdariçin ju bashkon fakti që keni drejtuar Shkëndijën dhe Vllazninë. Besoni se nesër do ta mundni duke i dhënë një leksion në Shkodër?
Është e vërtetë që me Brdariçin kemi një të kaluar të përbashkët, por unë kam qenë më shumë te Shkëndija e Tetovës. Unë dy herë dhe më gjatë, ndërsa ai ka drejtuar pas meje në një periudhë të shkurtër. Nuk është çështje leksioni, ne jemi trajnerë dhe bëjmë punën tonë. Nuk varet gjithçka nga ne trajnerët, pasi jemi në varësi se si e interpretojnë ndeshjen futbollistët në fushë.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"