“Fitorja ndaj Partizanit shijon më shumë me një sukses në Vlorë”, Dovedan: Flamurtarin nuk e vlerësojmë nga renditja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2019 | 8:50

“Fitorja ndaj Partizanit shijon më shumë me një sukses në Vlorë”, Dovedan: Flamurtarin nuk e vlerësojmë nga renditja

Sfida në Vlorë që luhet sot në orën 13:00 mes Flamurtarit dhe Bylisit është mjaft e rëndësishme për vijimësinë e mallakastriotëve. Trajneri Veljko Dovedan do të ketë mungesa të shumta, por ai ka besim te grupi i lojtarëve.veljko dovedan

Në prononcimin para ndeshjes për “Panorama Sport”, trajneri i Bylisit theksoi se Flamurtarin nuk e vlerëson nga renditja. “Luajmë një tjetër ndeshje shumë të rëndësishme për synimet që kemi, por duke parë edhe nevojën e kundërshtarit për pikë, mendoj se na pret një takim i vështirë. Fitorja ndaj Partizanit shijon edhe më shumë me një tjetër sukses në Vlorë. E njoh Flamurtarin dhe ndeshja luhet në kushte mjaft të mira. Kemi bërë shpesh miqësore në Vlorë dhe unë edhe vjet kam qenë në stadiumin e tyre. Shpresoj të dalim me kokën lart nga kjo ndeshje”, ka thënë fillimisht boshnjaku.

MUNGESAT – Pa pesë titullarë në një transfertë si kjo me Flamurtarin, Dovedan thekson se për çdo trajner është shumë e vështirë kur nuk ka gjysmën e skuadrës. “Gjatë javës kemi punuar shumë dhe e kam të qartë se kush do të luajë. Sigurisht lojtarët më në formë. Kemi mungesa të rëndësishme në mbrojtje dhe mesfushë. Nuk është e lehtë, por ata që do të luajnë, i kanë marrë porositë. Mungesat s’na bëjnë më përshtypje. Duhet t’i bëjmë ballë situatës edhe në këtë ndeshje”. Kujtojmë se Bylisi shkon në Vlorë pa Ymeralilajn dhe Bicajn e dëmtuar, si dhe Jankun, Mëllugjën e Muratajn të pezulluar për kartonë.veljko dovedan

KALENDARI – Pas Flamurtarit, Bylisi luan dy ndeshje radhazi në “Adush Muça”. Fillimisht me Laçin, e më pas me Luftëtarin. Ballshiotët nëse ia dalin mbanë në Vlorë, kanë shanse që ta mbyllin në krye. “Nuk duhet të mendojmë për asgjë veç Flamurtarit. Duhet të kalojmë me sukses ndeshjen e radhës, e pastaj të flasim për të tjerat apo renditjen. Për mua kjo është një ndeshje ku duhet të marrim pikët maksimale”, përfundoi trajneri që drejton Bylisin për të dytin sezon radhazi. Sot pritet që Dovedan të hedhë nga minuta e parë lojtarë si Celis apo Turabov, që në ndeshjet e fundit nuk kanë luajtur shpesh titullarë.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"