Fitorja ndaj Luftëtarit detyrim, Halili bën gati gjobat: Jeni lojtarët më të paguar, nëse s’reagoni…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2018 | 21:08

Fitorja ndaj Luftëtarit detyrim, Halili bën gati gjobat: Jeni lojtarët më të paguar, nëse s’reagoni…

Vetëm 1 pikë në 270 minuta janë shumë pak për Tiranën. Edhe pse klubi bëri afrime me bollëk dhe la në fuqi një buxhet milionerësh për Kategorinë Superiore, rezultatet kanë qenë më shumë se zhgënjyese.

halili

Kthesa tashmë është domosdoshmëri, ndaj hapur mund të thuhet që me Luftëtarin bëhen llogaritë vetëm për fitore. As barazimi nuk mund t’i shpëtojë bardheblutë nga masat. I rrezikuar në këtë mes nuk është vetëm trajneri, por edhe vetë futbollistët.

Nëse Ze Maria mund të vendosë në rrezik pankinën, lojtarët mund ta pësojnë edhe financiarisht. Një mesazh të qartë e dha edhe vetë Refik Halili në mbledhjen e zhvilluar dy ditë më parë në “Skënder Halili”. Gjatë fjalimit që ai mbajti në fundin e stërvitjes, “Panorama Sport” mëson se presidenti ndër të tjera edhe ka paralajmëruar ndëshkime. Edhe pse nuk ka përmendur termin “lekë”, hapur u ka thënë se: “Jeni më të paguarit, nuk është e pranueshme kjo ecuri. Nëse nuk vjen kthesa, do të merren edhe masa”.

halili

Dhe duhet thënë që bardheblutë e morën porosinë. Një tjetër humbje apo edhe barazim mund të shoqërohet me gjoba te 24 herë kampionët e vendit. Analiza e presidentit ka “shkundur” gjithkënd dhe të gjithë janë të vetëdijshëm që tashmë gabimet janë të patolerueshme. Nëse humbja në start me Kamzën mund të konsiderohet edhe aksidentale, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për barazimin me Teutën dhe mbi të gjitha për “shkërmoqjen” në Kukës. 90-minutat e fundit kanë acaruar më së shumti edhe drejtuesit, të cilët e kanë  quajtur paraqitjen një turp.

tirana halili

Edhe pse Ze Maria pati menduar që të zhvillonte një analizë të detyruar për këtë start, pas “furtunës” që presidenti shkaktoi në seancën e së enjtes, e ka shtyrë për një tjetër ditë. Ndoshta braziliani po pret që t’i plotësohet grupi dhe më pas të skanojë Tiranën e tij. Një ekip që në letër u ndërtua për të pretenduar majat po dëshmon të kundërtën në fushë. Dhe për të shmangur dramën e dy sezoneve më parë, në klub kanë menduar që të marrin situatën më shpejt nën kontroll.

ADELA MERKO 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"