Fitorja me Laçin është detyrim për të shpëtuar sezonin e Kukësit, Hallaçi apel “senatorëve”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2023 | 16:19

Fitorja me Laçin është detyrim për të shpëtuar sezonin e Kukësit, Hallaçi apel “senatorëve”

Kukësi është duke u dhënë dorën e fun dit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të kenë me Laçin ditën e nesërme në “Kukës Arena”, ora 15:00. Një përballje që në kampin blu është vlerësuar maksimalisht, duke ditur rëndësinë e kësaj sfide, e cila vlen shumë sa i përket mbijetesës.

kukesi

Edhe pse verilindorët vijnë para kësaj ndeshjeje me një moral të rënë përtokë, nisur nga rezultatet e javëve të fundit, sërish synimi do të jetë marrja e maksimumit kundër Laçit. Gjatë gjithë këtyre ditëve, trajneri Rraman Hallaçi është përpjekur të mbajë lart moralin e futbollistëve, si mënyrën më të mirë për të mbajtur nën tonus skuadrën. Faktori psikologjik shihet si problemi më i madh aktualisht në këtë fund kampionati te Kukësi, për aq kohë sa janë po të njëjtët lojtarë që deri para pak muajsh ishin shumë pranë arritjes së Europës, ndërsa tani rrezikojnë mbijetesën në Superiore.

SFORCOJA E FUNDIT – Duke parë se në skuadër, Kukësi ka disa prej atyre që konsiderohen si “senatorë” dhe cilësitë individuale i kanë të mëdha, në bisedat gjatë përgatitjeve dhe analizave që kryen, Hallaçi u ka kërkuar edhe një sforco për të shpëtuar skuadrën, dhe mos lejuar që të prekin fundin. Janë pikërisht lojtarët më me eksperiencë që tekniku pret të zgjidhin situatën, në të cilën ndodhet klubi, duke u shprehur besimin se i kanë të gjitha mundësitë për ta nxjerrë skuadrën nga ky ngërç. Nga ana tjetër, vetë lojtarët kanë dhënë “besën” se do të bëjnë gjithçka që Kukësi të arrijë patjetër te rezultatet pozitive që këtë javë me Laçin. Një sforco u kanë kërkuar edhe vetë drejtuesit, pasi e shohin si të papranueshme që ekipi me kontingjentin që ka në dispozicion të shkojë në atë pikë sa të diskutojë qëndrimin në elitë.

MBËSHTETJA NGA TIFOZËT – Duke parë situatën kritike në të cilën ndodhet skuadra, në Kukës shpresojnë te një mbështetje edhe në shkallët e stadiumit. Edhe pse rezultatet e fundit kanë lënë të zhgënjyer tifozët, në klub shpresojnë që t’i kenë në krah edhe në këtë përballje. Në ndeshjet e fundit që kanë luajtur në shtëpi, klubi e ka lënë hyrjen e lirë, diçka që pritet të ndodhë edhe në këtë sfidë, për të shpresuar që të jenë sa më të shumtë në numër. Në fakt, duket se Kukësin e ka ndjekur pak edhe mallkimi i stadiumit, pasi në impiantin e ri ku shpresohej për sa më shumë rezultate pozitive, skuadra nuk ka marrë fitoret që prisnin. Gjithsesi, ky është momenti që verilindorët duhet të tregojnë sa vlejnë, për t’u larguar nga vendi i tetë, një pozicion që të dërgon në një ndeshje shtesë me ekipin fitues të fazës “play off” të Kategorisë së Parë.

SULMUESIT – Ndaj Laçit, Kukësi pret njëkohësisht zhbllokimin e sulmuesve dhe fitoren, si mundësinë e vetme për t’iu larguar disi vendeve të fundit. Trajneri Rraman Hallaçi është përpjekur gjatë këtyre ditëve që të mbajë lart skuadrën dhe të kryejë lëvizjet që të dërgojë skuadrën drejt suksesit. Fakti që e kanë mundur tri herë gjatë këtij sezoni mban lart moralin në kampin blu. Gjithsesi, nga ana tjetër, në këtë ndeshje verilindorët vijnë pas shtatë takimesh pa fitore.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"