Fitorja historike në Turqi, flet Ilir Daja: Djem me personalitet dhe karakter, prodhuam lojë dhe raste

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2022 | 21:23

Fitorja historike në Turqi, flet Ilir Daja: Djem me personalitet dhe karakter, prodhuam lojë dhe raste

Ilir Daja ka qenë padyshim entuziast për suksesin historik të Ballkanit në Ligën e Konferencës. Skuadra e tij u bë e para nga ekipet kosovare që gjente një fitore në grupet e një turneu të UEFA-s, një rezultat 4-3 që merr një vlerë më të madhe nga fakti se ekipi dominoi ndaj një skuadre me shumë eksperiencë si Sivaspor.

bandicam 2022-10-06 20-38-23-231

Pas sfidës, tekniku deklaroi për mediat kosovare se ishte i lumtur me atë paraqitje që kishte bërë skuadra në këtë ndeshje, duke ia kushtuar fitoren të gjithë Kosovës e duke pritur një mbështetje të madhe në sfidën e javës së ardhshme në Prishtinë.

“Futbollistët e Ballkanit ia dedikojnë gjithë Kosovës dhe ngritjes së futbollit në Kosovë këtë fitore. Këta djem kanë personalitet, karakter. Megjithëse kishim gjithë ato mungesa, lojtarët që u futën e vazhduan atë përpjekje që bënë lojtarët e formacionit. Të mungojë kapiteni, Gripshi, Astrit Thaqi, Bekteshi dhe Leo Abazi nuk është e lehtë, por i përballuam.

Ajo që do të veçoja është që kemi prodhuar lojë dhe kemi pasur shumë situata para portës. Nëse do ishim më cinikë, do ta mbyllnim ndeshjen më herët. Lojtarët kanë fituar përvojë në një nivel tjetër. Ekipet janë të forta dhe kanë përvojë. Kur ke besim te vetja dhe djemtë tanë kanë besim te vetja dhe respektin ndaj vetes, atëherë kjo gjë është shumë e mirë. Karakterin sportiv këta djem e kanë në nivelin optimal.

Sigurisht do të kishim tjetër mbështetje sikur të ishim ‘Xhebrailat’. Shpresoj që në ndeshjen e radhës të kemi përkrahjen e gjithë Kosovës. Këta djem sonte nuk kanë përfaqësuar vetëm qytetin e mrekullueshëm të Suharekës, por gjithë Kosovën”, ishin fjalët e trajnerit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"