Fitorja e sportklub Tiranës është fitore e historisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2020 | 20:18

Fitorja e sportklub Tiranës është fitore e historisë

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Duket si një trajtim i gabuar kësisoj përkufizimi për përfundimin e kampionatit kombëtar të Shqipërisë, këtë 2019-2020. Sepse, në fund të fundit, sportklub Tirana është një klub i Tiranës dhe asgjë më tepër. Dhe titulli i ri i saj, që për mua është i 27-ti, nuk mund të quhet një fitore universale e historisë, por e historisë së sportklubit tonë të shquar. E megjithatë, them se është pikërisht një fitore e historisë sonë kombëtare të sporteve dhe të futbollit. Ndoshta edhe më tej. Në radhë të parë sepse ky kampionat i 90-vjetorit të themelimit të tij (1930), u fitua nga kampioni i parë i Shqipërisë që është sportklub Tirana dhe u fitua në 100-vjetorin e themelimit të shoqërisë së parë futbollistike të kryeqytetit, që është ajo e Tiranës. Por, edhe kjo duket thjesht si një vlerë statistikore dhe aq.

E vërteta e kësaj “historie” qëndron diku tjetër. Në atë që vetë sportklub Tirana është një histori, histori e gjallë e kulturës sonë kombëtare, e sportit tonë kombëtar, e kampionatit tonë shqiptar. Dhe pikërisht për histori, ajo fiton 27 kampionate, se fitoret ajo i ka pjesë të historisë së saj dhe pa to ajo nuk mund të ekzistojë. Jo thjesht në kuptimin e fitoreve, por më tepër të rolit të saj në gjithë këtë histori. Është një pjesëmarrje duke luajtur gjithmonë role të dorës së parë. Fitoret e saj kanë shtyrë përpara një histori të vetë futbollit shqiptar. Dhe, sado modeste që të jetë ajo, si të gjitha historitë e Shqipërisë, roli i SK Tiranës është tejet i madh. Kjo shihet edhe te shifra “27”, kur kundërshtarin më të afërt ka Dinamon me 9 kampionate më pak (18). Edhe për këtë fitorja e SK Tiranës është fitore e historisë. SK Tirana ka bërë historinë e kampionateve tona, madje e ka themeluar atë, e ka çuar përpara, e ka gjallëruar, i ka dhënë jetë, e ka shpëtuar kur ajo rrezikohej të mos ishte më histori.

Dhe madje ajo edhe ka falë histori. Më e pakta, SK Tirana u ka falë histori dy klubeve të cilat së bashku kanë fituar 34 kampionate, Partizanit dhe Dinamos – të cilët kur u themeluan, të paktën gjysmën e lojtarëve i kishin të sportklub Tiranës, Punës së Tiranës apo 17 Nëntorit të Tiranës. Për fat, ky ka qenë çasti kur, pa fort mirënjohje, këto dy klube që SK Tirana u fali histori, deshën t’ia ndalin historinë SK Tiranës. Në të vërtetë, për mbi 20 vjet ata ia arritën t’ia ndalnin këtë histori titujsh. Duke harruar me naivitet se personazhet e mëdha nuk mund t’i heqësh assesi nga historia, edhe pse për njëfarë kohe ia arrin t’i mënjanosh prej saj. Nuk e ndalën thjesht duke mos e lejuar atë vetë që të bënte histori përmes titujve kampionë, por gati duke mos e lejuar thuajse të mos luante asnjë rol në historinë e tyre. E, kjo ua lehtësoi fort atyre synimin për të bërë edhe ata historinë e tyre, historinë e Partizan/Dinamos që vërtet qe gjithashtu e mrekullueshme.TIRANA ME TITULLIN

Kjo nuk i ngjallte asnjë xhelozi sportklubit tonë. Madje, të nesërmen e titujve që fitonin Partizani/ Dinamo ata gëzoheshin së bashku me ta, teksa ashtu, të ulur bareve e kafeneve qytetare të Tiranës përgëzonin shokët e tyre, bashkëlojtarët e tyre të mëparshëm. Ky ka qenë “Fair Play” human i qytetarisë së Tiranës edhe përmes sportit të futbollit. Mandej, 17 Nëntori, sportklub Tirana apo Puna e Tiranës u rikthye në mesin e viteve ’60 jo vetëm për të mos dalë më kurrë nga historia, por për të vazhduar drejtimin e historisë. Dhe më 1990, ajo ia arriti të nxirrte në skenë historinë e saj të mohuar. Sepse, SK Tirana deri më 1991 ka qenë i vetmi klub futbolli në Europë, të cilit me vendim shtetëror pra, përmbi 45 vjet, ia kishin hequr historinë e 6 titujve të kampionit të viteve ’30! Dhe kur një ditë të bukur iu rikthye kjo histori, papritmas ajo u shndërrua në atë që kishte qenë përherë: U kthye në “primadonë” ose në “zonjë e parë”. Kjo është sportklub Tirana, fitorja e 27-të e së cilës është fitore e historisë, fitore e themelimit, fitore e fillimit dhe e fundit, që kurrë nuk mund të jetë e fundit.

Historia e saj u pa që nuk mund të ishte e fundit edhe kur në 1967-ën ia rrëmbyen me forcë diktature titullin, sepse ajo u rikthye kampione vetëm mbas 12 muajsh (1968) – një histori që do t’i rikthehemi edhe një herë më në hollësi. U pa ndërkaq që nuk mund të ishte e fundit fitorja sportklubase, siç i thoshte Mazrreku ynë i madh, edhe kur tre vjet më parë (2017) të këtij shekulli të ri, e përplasen në atë që është Kategori e Dytë. Them “e përplasen” sepse ajo thjesht u rendit e 9-ta në kampionat, por që duke qenë palejueshëm një kampionat me vetëm 10 skuadra, ata, të paditurit, e nxorën jashtë pa iu tronditur qerpiku i syrit. Ashtu siç po duan tash të nxjerrin jashtë një tjetër krenari të historisë sonë, bashkudhëtaren më të dashur të sportklub Tiranës, që është Vllaznia e Shkodrës, e cila paska bërë një faj të ngjashëm, duke u renditur jo më e 9-ta, por e 8-ta në Shqipëri. Kështu pra, sportklubi ynë është ai që, edhe pse e përjashtojnë nga kampionati, i mjaftojnë vetëm 36 muaj jo thjesht për t’u rikthyer, por për t’u shpallur kampion i Shqipërisë për herë të 27-të.

Me një keqardhje të madhe, megjithatë. Ngaqë, do t’i mungojnë të tjerë bashkudhëtarë të tij fisnikë në rrugën e kësaj historie të futbollit qytetar. Do t’i mungojnë Dinamo e Tiranës, Flamurtari i Vlorës dhe KS Elbasani i Elbasanit – kampionë të shquar të Shqipërisë. Por, edhe tre nënkampionë të paharrueshëm: Besa e Kavajës, Luftëtari i Gjirokastrës e Tomori i Beratit. A vërtet do të lejojmë që të mungojnë?… Fitorja e SK Tiranës më tepër se kombëtare, është fitore mbarëkombëtare. Ndonëse çdo kampione, dihet, quhet kombëtare. Fitorja e SK Tiranës është mbarëkombëtare, sepse askush tjetër si ajo nuk ka pasur në gjirin e vet larminë më të pafund të përfaqësuesve të të gjitha zonave e trevave shqiptare. Kur është themeluar si kampione më 1930, ajo ka pasur në 11-shin e saj tiranas, shkodranë, elbasanas, korçarë, durrsakë, vlonjatë, dibranë, gjakovarë, pejanë apo mitrovicas. Kur të vështroni panteonin e saj, që do ta ribotoj të plotësuar për ta ruajtur e pasuruar si përherë, jo thjesht nga që kështu nderohen protagonistët e saj të pashlyeshëm, por sepse kështu ruhet historia jonë, do të shihni se SK Tirana në mbarëkombëtarinë e saj është unikale.

tIRANA5

Ajo të rrëmben. Të gjithë “të huajt” ajo ka një aftësi të jashtëzakonshme për t’i shndërruar në tiranas të vërtetë të futbollit. Dhe brenda një kohe të shkurtër arrin t’ua blatojë stilin e saj. Mandej, kur ata largohen, atje ku shkojnë vetvetiu përçojnë këtë stil historik te skuadrat e tyre të reja. Sportklub Tirana që njihet për “konservatore”, në të vërtetë është më liberalja. Tregun e futbollit në Shqipëri e para e ka filluar ajo. Ajo është e para dhe e vetmja që i ka falur Juventusit dhe Romës së Italisë dy kampionë të rangut europian: Riza Lushtën e Naim Kryeziun. SK Tirana është i vetmi klub futbolli në Shqipëri, përfaqësues të të cilit, të arratisur prej një terrori, një herë ia kanë arritur të dalin në fushën e lojës në një stadium të madh të Europës, në Romë, dhe me fanellat e Kombëtares me shqiponjën e flamurit, të zhvillojnë një ndeshje me një klub të madh që ishte Lacio e Romës. Vetëm këta lojtarë të sportklub Tiranës kanë përjetësuar kësisoj një ndeshje revolte atdhetarie kundër vendosjes së regjimit më shtypës në Europën Lindore. Ishin futbollistë të shquar, të cilët, përveç të tjerave, kishin fituar edhe dy kampionate kombëtare (1939, 1940) të Luftës në Shqipëri.

Kampionate të cilët ne, historianë të këtyre punëve, i njohim, u kushtojmë libra, i vërtetojmë, edhe pse johistorianët nuk i njohin. Punë për ta! Atëbotë, SK Tirana është jo 25 herë, por 27 herë kampione e Shqipërisë. Portat për të tjerët i ka hapur e para në Shqipëri po SK Tirana. Po të vështroni me kujdes emrat e stinës që sapo përfundoi, këtë 2019-2020, do të zbuloni një larmi krahinash, teksa gjeni protagonistë tejet tërheqës të tyre. Kam vendosur që në këtë shkrim të mos përmend asnjë emër, sepse në ngushtësinë e këtyre radhëve do të më mbesin jashtë emra të pafund prej të 282 kampionëve të SK Tiranës në 90 vjet kampionat. Emrat, të plotë, do t’i gjeni në panteonin tim, që merret me mend se nuk është imi, por i sportklub Tiranës. E, kësaj radhe në mungesë të analizës së një kampionati të cilin SK Tirana e fitoi duke kryesuar në 18 javë prej të 36-ave, do të flasë sa panteoni, aq dhe renditjet e kampionatit. Por, edhe kjo ese lakonike i një argumenti që thotë se fitorja e 27-të e SK Tiranës është fitore e historisë. Jo thjesht ngaqë një kampione i përket gjithnjë historisë kombëtare, por ngaqë askush më mirë se SK Tirana nuk ka plazmuar aq fort një histori futbolli të Shqipërisë, kaq kombëtare dhe kaq përtej. Çuditërisht, jo vetëm sepse ajo i ka dhënë Kombëtares numrin më të madh të lojtarëve qysh ditën e parë kur ajo u themelua më 1936, dhe madje as ngaqë përherë në përbërje ka qenë një skuadër mbarëkombëtare qytetesh e trevash – e tash edhe përfaqësuesish të shteteve të tjera.Tirana festas

Por, ngaqë askush më fort se SK Tirana nuk ka përfaqësuar shpirtin tonë rinor të kombit tonë në fushën e blertë të “mbretit të sporteve”, që është futbolli. Forca, pasioni i madh, këmbëngulja e jashtëzakonshme, etja e madhe për kthesë, energjia, shpirti i paepur e në fund të fundit stili i një vrulli dhe mosdorëzimi assesi në këtë fushë të blertë – çka shpesh shumëkush i ka quajtur veçori të futbollit shqiptar – më parë se te të tjerët janë brumosur te sportklub Tirana. Ky është ai që njihet si “shpirti i Tiranës”.

I dha të gjitha këto, edhe në këtë 2020, ndonëse për fatin e keq të saj i dha në një kohë që nuk vlerësohet historia. Teksa nga ana tjetër, ajo i dha në një kohë stadiumesh të paspektatorë, ndonëse falë ekranit të vogël, rrejshëm na dukej se në stadiume ishin me mijëra të pranishëm… Thashë se nuk do të përmend asnjë emër. Megjithatë, edhe më e tana ka një përjashtim. Do ta mbyll me nëntëmbëdhjetë emra, nëntëmbëdhjetë njerëz, të cilët janë ata që kanë nxitur e sendërtuar me mendjet e duart e tyre lartësimin e panteonit të sportklub Tiranës. Janë mësuesit e saj, trajnerët e saj, nga i pari deri te më i fundit.

Nderim për: Samo SINGER, Selman STËRMASI, Myslym ALLA, Enver SHEHU, Shyqyri RRELI, Shkëlqim MUÇA, Fatmir FRASHËRI, Enver HADZIABDIC, Krenar ALIMEHMETI, Sulejman MEMA, Mirel JOSA, Sulejman STAROVA, Luan SENGLA, Blazo SLISKOVIC, Agustin KOLA, Alban TAFAJ, Ardian MEMA, Julian AHMATAJ, Emmanuel EGBO! Me ta sportklub Tirana i përket edhe më fort historisë.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"