Fitorja e parë në kampionat, Ruçi: E thyem akullin, por nuk ishte e lehtë kundër Luzit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2022 | 23:53

Fitorja e parë në kampionat, Ruçi: E thyem akullin, por nuk ishte e lehtë kundër Luzit

Skënderbeu më në fund u “zgjua”. Vuajti shumë, por në fund siguroi tri pikët e para në kampionat. Një fitore me përmbysje përballë Luzit 2008, duket se kanë sjellë qetësinë dhe kanë çuar në vend kërkesën e bërë prej presidentit Ardjan Takaj. Edhe pse loja nuk ishte ndër më të mirat e mundshme, Shkëlzen Ruçi mjaftohet me rezultatin.

SHKELZEN RUCI

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, thekson se kthesa erdhi në momentin e duhur, atëherë kur ekipi kishte më shumë nevojë. Ai mendon se tashmë që u thye akulli, nuk do të ndalen më. “Ky trepikësh ishte diçka shumë e rëndësishme për ne, pasi kishim një ngërç psikologjik në tri javët e para dhe mungesën e fitores e vuanim mjaft. Arritëm të merrnim pikët e plota në një fushë që do të jetë shumë e vështirë për çdo kundërshtar. Ndeshja ishte shumë e luftuar. Vuajtëm disi pasi nuk po arrinim dot të finalizonim rastet e krijuara në pjesën e parë dhe u ndëshkuam më pas nga Luzi.

Fraksionin e dytë e nisëm mirë dhe duhet të kishim mbyllur ndeshjen pasi kaluam në avantazh dhe patëm raste të pastra. Por i rëndësishëm në këto momente mbetet fakti që arritëm të merrnim një fitore shumë të rëndësishme. Thyem akullin dhe tani jemi shumë herë më të qetë dhe të përqendruar psikologjikisht për të përgatitur çdo sfidë”, theksoi gardiani. Ruçi sheh si problem finalizimin dhe shpreson që deri para ndeshjes së ardhshme të korrigjohet. Ai mendon se gabimet tani e tutje janë të ndaluara, ndaj edhe me Burrelin kërkon që i gjithë grupi të angazhohet maksimalisht.

“I vetmi problem që po kërkojmë të zgjidhim sa më shpejt të jetë e mundur është finalizimi dhe konkretizimi i volumit të lojës që ndërtojmë. Skënderbeu gjithmonë do të luajë për tri pikët, kjo është e sigurt. Edhe në ndeshjen e radhës me Burrelin do të bëjmë të njëjtën gjë, madje në shtëpinë tonë duhet të japim 200% pasi e dimë se ekipet që mbyllen do të na krijojnë shumë probleme”, përfundoi elbasanasi i korçarëve.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"