Fitorja e fundit në Shkodër, Teuta do kthesën pas 3 muajsh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2018 | 22:14

Fitorja e fundit në Shkodër, Teuta do kthesën pas 3 muajsh

Nuk ka pushim për Teutën. Pas ndeshjes me Skënderbeun në Kupën e Shqipërisë, bregdetarët janë rikthyer menjëherë në terren për të vazhduar me përgatitjet për transfertën e Shkodrës. Përballë është një ekipi i fortë, i cili vjen pas një fitoreje që i ka dhënë moral dhe këtë durrsaket e dinë mjaft mirë. Gjithsesi, kjo nuk i demotivon aspak të besuarit e Gentian Begejas që të kërkojnë kthesën e madhe.

teuta

Për shkak të impenjimit në Kupë, stafi teknik e ndau ekipin në dy pjesë. Lojtarët që u aktivizuan në fushë kundër bardhekuqve zhvilluan disa ushtrime rikuperuese, ndërsa pjesa tjetër punoi normalisht. Në dispozicion të trajnerit të sapoemëruar ishte i gjithë grupi, me boshnjakun Anel Dediç në krye, që punoi normalisht me shokët e ekipit. Mungesa e madhe për takimin me Vllazninë është ajo e mesfushorit Ardit Hila, i cili ka plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë.

teuta

Elbasanasi është një titullar i padiskutueshëm për bregdetarët dhe mungesa e tij do të ketë ndikim në përballjen decizive mes dy skuadrave në “Loro Boriçi”. Situata në ekip duket e qetë, trajneri i ri po mundohet të fusë një frymë të re dhe të rizgjojë besimin e humbur të disa futbollistëve. Teuta ka rreth tre muaj pa fituar në kampionat dhe fitorja e fundit është arritur pikërisht kundër Vllaznisë në “Niko Dovana” më 19 nëntor të vitit të kaluar.

Teuta

Kuqeblutë duket se janë një kundërshtar i preferuar, pasi kundër tyre kanë marrë dy fitore. Në “Loro Boriçi” i pret një kundërshtar i fortë, por bregdetarët janë të uritur për pikë dhe kundër tyre do të bëjnë gjithçka për të marrë maksimumin.

DRILON XHEPOLLARI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"