Fitorja e fundit me “manita”, Elbasani thyen rekordin 9-vjeçar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2020 | 19:13

Fitorja e fundit me “manita”, Elbasani thyen rekordin 9-vjeçar

Fitorja e fundit e Elbasanit ndaj Shënkollit, me shifrat 5-0, ishte e fundit e një serie rezultatesh pozitive dhe një loje të mirë nga ana e verdhebluve. Skuadra e trajnerit Shkëlqim Lleshanaku po dominon ndaj çdo kundërshtari dhe duket se nuk ka asnjë lidhje me atë të para ndërprerjes së kampionatit, ku haste vështirësi për të shënuar qoftë edhe një gol të vetëm. Nëse në fillim dukej rastësi dhe fat, ku pak besonin te ky grup, tani nuk ka më asnjë dyshim që verdheblutë kanë hyrë me një tjetër mentalitet në fushë dhe i janë larguar vendit të fundit që kanë mbajtur gjatë gjithë kampionatit.Elbasani-Shenkolli

Ata kanë zhvilluar 5 ndeshje që nga rifillimi i kampionatit dhe kanë fituar 4 prej tyre. Kanë humbur vetëm në transfertë me Orikun. Edhe në atë përballje kanë zhvilluar një ndeshje të mirë, por nuk kanë konkretizuar rastet për shënim dhe kanë dalë pa pikë. Këtë fundjavë Elbasani pret pikërisht këtë kundërshtar dhe do të ketë mundësinë për të treguar se ajo humbje ishte thjesht një aksident.

REKORDI – Fitorja e fundit jo vetëm i shtoi 3 pikë në renditje skuadrës elbasanase dhe nxori nga gara një rival direkt në luftën për mbijetesë, por theu edhe një rekord 9- vjeçar të verdhebluve.

Në Kategorinë e Parë Elbasani nuk shënonte 5 gola në kampionat që nga 17 shtatori i vitit 2011, kur mundte Gramshin me rezultatin 5- 1. Që nga ajo periudhë verdheblutë janë mjaftuar me pak gola, për shkak edhe të kontingjentit që kanë pasur në dispozicion. Gjithsesi, rekordet nuk kanë asnjë vlerë për ekipin në këto momente, sepse duhet të arrihet me çdo kusht mbijetesa në Kategorinë e Parë. Rezultatet e fundit kanë treguar se Elbasani është në rrugë të mbarë dhe nëse vijon me këtë ritëm, atëherë mbijetesa do të jetë thjesht një formalitet.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"