Fitorja çliron Teutën, zv.trajneri Vrapi: Ja pika jonë më e fortë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2018 | 17:44

Fitorja çliron Teutën, zv.trajneri Vrapi: Ja pika jonë më e fortë

Fitorja ndaj Laçit ka çliruar Teutën, e megjithatë vend për qetësi nuk ka. Tashmë ka ardhur koha për vazhdimësi dhe këtë mesazh të qartë e jep zv.trajneri Endri Vrapi. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi skanon ekipin, bashkëpunimin me Shkëmbin dhe konsideron Osmanin një lider.

shkembi teuta hasanbelliu

Teuta gjeti fitoren e parë jashtë fushe, ndiheni më të çliruar tani?

E kishim përgatitur në imtësi ndeshjen. Shfrytëzuam rastet tona dhe morëm një trepikësh të merituar. Më vjen mirë që ia arritëm qëllimit, duke i shkaktuar edhe Laçit humbjen e parë.

Ishte kjo një pikë kthese dhe a besoni te vazhdimësia në Vlorë?

Këto tri pikë erdhën në momentin e duhur dhe ndaj një rivali direkt. Po kalojmë një moment të mirë, por me Flamurtarin do të jetë e vështirë. Objektivi s’do të ndryshojë, pasi edhe në Vlorë do shkojmë për të fituar. Nëse çdo lojtar kryen me përpikëri detyrat, rezultatet s’do mungojnë.

Faza e dytë rezervon më shumë ndeshje në transfertë. E keni kaluar ngërçin psikologjik që kishit jashtë fushe?

E vërtetë kjo, por nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të vlerësojmë çdo kundërshtar. Nuk duhet të mendojmë shumë për këtë aspekt.

A mund të kishit më shumë pikë pas fazës së parë?

Në ekip ka gjithmonë vend për përmirësime dhe detyra jonë është të nxjerrim mësime nga gabimet tona dhe t’i korrigjojmë ato.

Shumë ndryshime në 11-she ndaj Laçit, a ishte ky çelësi i suksesit?

Personalisht, nuk mendoj se rezultatet erdhën nga ndryshimet. Çelësi i suksesit është që kemi në dispozicion një grup të mirë e të shëndoshë. Pastaj, harmonia është pika më e fortë e jona.

Do ta shohim sërish në mesfushë Osmanin?

Asgjë nuk është e pamundur. Osmani është një lider i vërtetë, i cili ka eksperiencën e duhur për të kryer dhe për të bërë më të mirën kudo që mund të aktivizohet nga trajneri.

Jeni vetëm dy pikë larg zonës “Euro”, sa shanse ka Teuta për ta mbyllur në treshen e parë?

Qëllimi ynë është të bëjmë më të mirën gjatë gjithë kampionatit. Skuadra është mirë psikologjikisht dhe pa dyshim që javët e fundit na kanë ndihmuar të ngjitemi në renditje. Është herët për llogari, por mund të them që kemi potencialin e duhur për të shkuar sa më larg.

Si është të punosh me Shkëmbin?

Kam pasur fatin ta kem koleg si në fushë, por edhe tani në stol. Është një kënaqësi e veçantë të punosh më Bledin.

Hakaj dhe Sidibe munguan përballë Laçit, sa janë mundësitë t’i shohim ndaj Flamurtarit të gatshëm?

Shpresoj të rikuperohen. Kemi nevojë për një grup sa më të plotë.

Anarildo Alia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"