Fitoret e Kolumbisë marrin jetë njerëzish

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2014 | 16:37

Fitoret e Kolumbisë marrin jetë njerëzish

KolumbiaKualifikimi historik i Kolumbisë për në çerekfinalet e një Botërori ka “droguar” jo vetëm delegacionin e udhëhequr nga trajneri Hoze Nestor Pekerman, por edhe tifozërinë. Me 4 fitore në katër ndeshjet e tyre të para në këtë aventurë braziliane, Xhejms Rodrigez me shokë po bëjnë të ëndërrojë një komb të tërë, ndonëse lajmet që vijnë nga kryeqyteti Bogota nuk janë aspak të bukura. Triumfi kundër Uruguait është shoqëruar me një vrasje aksidentale, ku një vajzë 25-vjeçare është goditur nga një plumb, i cili i ka marrë jetën menjëherë, ndërsa një tjetër vajzë është plagosur në Bosa, sërish me armë zjarri. Edhe pse qeveria dhe policia vendëse ka tentuar gjatë këtyre javëve që të marrin masat për frenimin e ekzaltimit të tepruar dhe shumë herë edhe të armatosur të tifozëve, ata nuk kanë mundur të bëjnë shumë. Statistikat që ofrohen nga kryebashkiaku i Bogotasë, Rikardo Bonija flasin për dy të vdekur mesatarisht, për çdo sfidë që ka luajtur Kolumbia në Botëror: “Si sportdashës, edhe unë i kam festuar triumfet e skuadrës sonë fantastike, por nuk duam që kjo eufori të transformohet në lot dhe dhimbje për familjet tona. Deri tani janë shënuar 9 vrasje, në katër netët që kombëtarja jonë ka luajtur, por ky trend nuk mund të vazhdojë më. Prandaj, i kam urdhëruar shefit të policisë, gjeneralit Rodolfo Palominos që të tregohet i rreptë edhe ndaj kësaj euforie, përndryshe është e kotë që të festojmë për golat në Botëror, ndërkohë që humbim jetë”. Natyrisht që apeli i kryebashkiakut ka qenë i drejtë, sepse shifrat e tjera, përveç 9 të vdekurve, flasin gjithashtu për 250 të plagosur nga 150 sherre masive në gjithë vendin, përveçse 350 arrestime të kryera. Në Bogota, për të frenuar këtë eufori vrasëse, çdo lokal ka marrë urdhër që të mos shesë më asnjë pije alkoolike gjatë ditës së ndeshjeve të Kolumbisë, por as kjo masë nuk ka frenuar dhunën, arrestimet, sherret, por edhe vrasjet.

James RodriguesXhejms Rodrigez, profesionist që 14 vjeç
Xhejms Rodrigez ka bërë të lumtur jo vetëm Kolumbinë, pasi ka shënuar 5 gola në 4 ndeshjet e para të këtij Botërori, duke qenë njëkohësisht edhe kryegolashënuesi i turneut, por në të njëjtën kohë edhe klubin e Monakosë, që i shpenzoi me të drejtë 45 milionë euro për të. Por nga ana tjetër, shkëlqimi i tij bën me dhimbje koke Juventusin, që në vitin 2010 nuk pagoi vetëm 5.5 milionë euro për të, pasi ky çmim iu duk i tepruar. Gjithsesi, fakti që Rodrigez do të ishte një ndër yjet e futbollit në glob kjo kuptohej qartë që në moshën e tij të vogël. Pasi kontaktet e para me topin i nisi në moshën 4-vjeçare dhe numrin 10 mbi shpatulla e bëri “tatuazh” që në këtë periudhë, ai dogji çdo etapë të mundshme duke u bërë lojtar profesionit i kategorisë së parë në Kolumbi që në moshën 14- vjeçare. Nuk kalojnë tre vite dhe ai transferohet në Argjentinë te Banfield, ku edhe pse 17-vjeçar ai e udhëheq ekipin drejt dy titujve sezonalë, Apertura e Klauzura. Talenti i tij nuk i shpëton menaxherit Horge Mendez, që mbulon njerëz si Ronaldo e Murinjo, por që mbi të gjitha bën tifozë edhe yje të mëdhenj të çdo sporti apo fushe tjetër, të të sotmes dhe të së kaluarës, si Diego Maradona, basketbollisti Lebron Xhejms e deri te këngëtarja Shakira dhe aktorja Sofia Vergara, që e kanë “bombarduar” me elozhe pas dopietës ndaj Uruguait.

pekerman_22Pekerman si Poco, nuk njeh humbje në Kupat e Botës
Ndonëse ka kombësi argjentinase, Hoze Nestor Pekerman është idhulli më i madh në Kolumbi për momentin, aq sa në vend kanë nisur edhe një fushatë që e kërkon atë në krye të shtetit, si president. Ashtu si kombëtarja e tij, edhe vetë trajneri ka hyrë në historinë e Botërorëve, duke barazuar rekordin e Vitorio Pocos, si trajneri me më shumë ndeshje radhazi pa humbje në të tilla kompeticione, konkretisht 9 takime. 64-vjeçari Pekerman, pas suksesit kundër Uruguait iu bashkua “fronit” të ish-trajnerit italian, i cili mes edicionit 1934 dhe atij 1938 dërgoi “axurrët” te fitorja e dy Botërorëve radhazi. Kreu i pankinës kolumbiane luan për herë të dytë një Kupë Bote, pasi në vitin 2006 ishte në krye të Argjentinës. Në atë edicion ai e nisi aventurën me dy fitore, 2- 1 ndaj Bregut të Fildishtë dhe 6- 0 përballë Serbisë, ndërsa fazën në grupe e mbyllte me një barazim pa gola me Holandën. Në 1/8-at ai shënon një tjetër sukses, 2-1 kundrejt Meksikës, ndërsa në çerekfinale dënohet nga penalltitë, pas 120 minutave që kundër Gjermanisë u mbyllën me rezultatin 1-1. Por trendi i Hoze Pekermanit si i pathyeshëm në Botëror do të ishte perfekt në këtë eksperiencë braziliane, pasi në katër ndeshjet e para ai ka shënuar po kaq fitore, ndërsa në çerekfinale kundër vendësve të Brazilit mund të shkruajë emrin e tij në histori.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"