“Fitoren e parë e marrim në transfertë”, Resuli: S’më tremb Egnatia, hall kam vetëm… terrenin
Flamurtari do të luajë sot të parën transfertë në Kategorinë e Parë. Pasi kanë marrë vetëm një pikë në shtëpi, do të tentojnë kthesën e madhe në Peqin. Në këtë stadium do të përballen me Egnatian kryesuese të grupit dhe vështirësitë priten të mëdha. Dritan Resuli e di që e pret “malore”, por ka besim tek ekipi. Gjatë deklaratës së dhënë për “Panorama Sport”, trajneri shpreson te një paraqitje dinjitoze, ndonëse llogaritë i bën me dy mungesa: Arbion Balilaj i dëmtuar dhe Kerviol Kreshpa i pezulluar prej të kuqit.
“Tani nis ‘malorja’, por ne do mundohemi që të japim maksimumin dhe të marrim pikë. Kam punuar këtë javë për të mbajtur ekipin të motivuar, pas asaj humbjeje që pësuam me kavajasit. Jemi përgatitur me mundësitë tona më të mira dhe shpresojmë të bëjmë një paraqitje dinjitoze kundër Egnatias. Kemi dy mungesa, por do të bëjmë një ndërthurje lojtarësh me ata kemi marrë nga U-19. Nuk jam marrë fare me kualitetet apo renditjen e kundërshtarit, po i jap rëndësi vetëm grupit tim. Dhe me sinqeritet e them se kemi pësuar rritje. Ne e dimë që një 90-minutësh ka të bëjë më shumë me episodet.
Në ndeshjen e kaluar, na penalizoi edhe marrja e golit që në fillim, kështu që duke bërë këtë analizë me veten tonë, nuk i druhemi kundërshtarit të radhës. Çdo gjë e kemi me veten tonë dhe atë që duhet të paraqesim në fushë. Unë kam besim që do të kthehemi. Por, kam një shqetësim, që lidhet me infrastrukturën. Deri në këto momente kemi luajtur vetëm në fushën tonë, ndërsa nesër (sot) provojmë transfertën. Nga informacionet që kam dhe çfarë po shikojmë, terrenet lënë për të dëshiruar. Gjithsesi, nuk e them si justifikim. Jam i bindur se në çdo ndeshje, ekipi ka për të ndryshuar dhe do të marrë formën e duhur”, përfundon numri një i pankinës vlonjate.
ERMAL SIKA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"