Fitore në ekstrem e Flamurtarit, Tirana zhytet në fund (Video)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2017 | 20:03

Fitore në ekstrem e Flamurtarit, Tirana zhytet në fund (Video)

Flamurtari ka marrë një fitore në ekstremin e ndeshjes kundër Tiranës për t’iu larguar zonës së ftohtë të klasifikimit, duke zhytur keq aty bardheblutë.

Diferencën në fundin e ndeshjes e kanë bërë kualitetet e vlonjatëve, me Donjet Shkodrën që ka realizuar me një goditje dënimi perfekt për t’i dhënë avantazhin skuadrës së tij, ndërsa më pas Danilo Alvesh tregoi aftësinë e tij në një kundërsulm perfekt për të servirur Bushiç.

shkodra

Tre pikë të merituara për vlonjatët, por situata mund të kishte qenë krejtësisht ndryshe nëse Tirana do të ishte treguar pak më konkrete para portës pasi krijoi disa raste ët mira, por nuk finalizoi. Tashmë bardheblutë e shohin veten me pikë të barabarta me Laçin, me shpresën që një kalendar më i favorshëm t’u mundësojë të mbijetojnë në një sezon plotësisht për t’u harruar.

MINUTË PAS MINUTE

90’+3′ Mbyllet ndeshja me suksesin e Flamurtarit.

90’+1’ Tirana e tëra në sulm. Një nga mbrojtësit bardheblu humb topin dhe ia dhuron Alvesh i cili vrapon drejt zonës dhe i vetëm para Likës, ia pason Bushiç që ta shtyjë në rrjetë. 2-0

89’ Flamurtari në avantazh. Goditje dënimi pranë zonës e fituar nga vlonjatët dhe Shkodra dhuron një nga perlat e tij, me topin që kalon murin dhe ndalet në rrjetë. 1-0

85’ Merveil sheh vrapimin e Moise të harruar nga mbrojtja vlonjate në të majtën dhe i jep një pasim të artë. Mesfushori niset i vetëm drejt portës dhe gjuan në kuadrat, por Halilaj grushton duke shpëtuar portën. Rasti më i mirë në pjesën e dytë për Tiranën.

79’ Gjuajtje-kros nga e majta e sulmit e Alvesh, Fazliu nuk arrin të devijojë sferën në shtyllën e dytë para se topi të përfundonte jashtë.

72’ Fazliu sheh Alvesh të pambuluar nga mbrojtja kundërshtare dhe i pason menjëherë sulmuesit që gjuan me të djathtën. Lika është i vëmendshëm dhe kontrollon situatën duke pritur topin pavarësisht gjuajtjes së fortë të brazilianit.

69’ Goditje dënimi në pozicion mjaft të favorshëm në të djathtën për Flamurtarin. Veliaj shpërdoron duke e dërguar direkt në duart e Likës.

61’ Harkim i rrezikshëm nga e majta i Leal, Alvesh devijon topin me kokë dhe vetëm largimi i Turtullit pranë vijës fatale shpëton katërkëndorin pasi sfera po i drejtohej rrjetës.

60’ Shumë më agresive të dy skuadrat në këtë pjesë të dytë, ndërsa mungon qartësia në krijimin e aksioneve.

49′ Aksion në krahun e majtë të sulmit të Tiranës me Edeh e Moise që nuk arrijnë të gjuajnë drejt portës së Halilajt. Në fund sfera shkon te Merveil i cili gabon plotësisht me një gjuajtje që kalon shumë lart mbi traversë.

46′ Rifillon ndeshja në Vlorë pa ndryshime të tjera në radhët e dy skuadrave.

45’+1′ Mbyllet pjesa e parë në barazim pa gola.

43′ Zëvendësim i detyruar te Tirana, me Moise që zë vendin e Dajës së dëmtuar.

41’ Alvesh rrotullohet në krahun e majtë dhe gjuan drejt portës, sfera devijohet nga Shehaj duke nxjerrë jashtë loje Likën, por shtylla u mohon gëzimin e golit vlonjatëve.

37’ Drithërima në portën e Flamurtarit. Doka mundohet të harkojë në zonë, devijimi i mbrojtësit të vlonjatëve e kthen në gjuajtje këtë tentativë, me topin që përplaset në kryqëzimin e shtyllave.

35’ Tjetër mundësi e mirë e Tiranës për të kaluar në avantazh. Edeh merr mjaft mirë topin në krahun e djathtë dhe kthehet drejt qendrës. Por gjuajtja e tij në pozicion ballor është shumë qendrore duke i dhënë mundësinë Halilajt të presë topin.

32’ Neziraj nga e djathta nis një harkim të gjatë në zonë drejt Danilo Alvesh. Sulmuesi bën gjithçka mirë duke kthyer topin me kokë drejt kuadratit. Por Lika me një devijim instinktiv çon topin mbi traversë. Shpëton porta bardheblu.

27’ Mundësi e mirë për të shënuar e Tiranës. Taku pason për Edeh i cili në pozicion mjaft të mirë gjuan në portë, duke gjetur përgjigjen e vëmendshme të Halilajt që grushton. Taku rimerr kontrollin e topit dhe mundohet të pasojë përsëri për Edeh, por këtë radhë është mbrojtja që largon rrezikun para portës vlonjate.

20’ Situata zhvendoset në portën tjetër, ku Bushiç me një gjysmëroveshatë mundohet të gjejë të papërgatitur Likën. Portieri i Tiranës nuk e ka të vështirë të kontrollojë këtë gjuajtje që shkon me qetësi në duart e tij.

19’ Shkëndija e parë e Tiranës vjen me një kthesë të Takut, i cili gjuan drejt portës së Halilajt në hyrje të zonës, por është një tentativë shumë e lehtë për portierin e Flamurtarit që kontrollon pa probleme.

15’ Donjet Shkodra provon edhe ai me një nga gjuajtjet e tij të zakonshme nga jashtë zone, pa shumë sukses.

13’ Aksion i rrjedhshëm i Flamurtarit nga e majta e sulmit, pasim në qendër për Shehajn i cili gjuan me të parën, por pa gjetur katërkëndorin bardheblu.

7′ Harkim i gjatë nga e majta drejt zonës së Flamurtarit, Bushiç me kokë gjuan drejt portës por nuk gjen kuadratin, me topin që kalon jashtë, ngjitur me shtyllën.

3’ Më kërkues Flamurtari që në minutat e para të sfidës, duke sulmuar në kërkim të një goli të shpejtë.

1’ Fillon ndeshja në Vlorë.

Flamurtari-Tirana 2-0
89′ Shkodra, 90’+1′ Bushiç

Flamurtari: Halilaj, Jakovljeviç (59′ Beqaj), Leal, Veliu, Mersini, Shkodra, Hyseni, Neziraj, Shehaj (52′ Fazliu), Bushiç, Alvesh

Trajner: Shpëtim Duro

Tirana: I. Lika, Doka, Cake, Turtulli, Hoxhallari, Daja (43′ Moise), Karabeci, Akua, Taku, Merveil, Edeh.

Trajner: Mirel Josa

KV: Veliu / Cake, Edeh, Karabeci

Gjyqtar: Enea Jorgji

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"