“Fitore morali me Besën, gabimet po eliminohen”, Çako: Tani nisi kampionati i Apolonisë, nuk ndalemi më!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2021 | 15:03

“Fitore morali me Besën, gabimet po eliminohen”, Çako: Tani nisi kampionati i Apolonisë, nuk ndalemi më!

Mjaftuan dy fitore radhazi që në Fier të ringjallen shpresat për misionin “Superiore”. Edhe pse vendi i parë dhe i dytë janë larg, tek Apolonia paralajmërojnë ngjitjen me “ashensor”. Nuk kanë në plan që të heqin dorë nga objektivi madhor, ndonëse kampionatin nuk e nisën si duhet. Këtë e thotë edhe Endrit Çako, portieri i bardhejeshilëve. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ai e quan të hapur garën, ndërsa evidenton se skuadra është rritur dhe po eliminon gradualisht gabimet.

Endrit Cako

Mundët Besën në transfertë, a ishte kjo një fitore force?

Mund të quhet, pasi përballë kishim një kundërshtar vërtet të fortë. Dihet kush është Besa, por ne ia dolëm me meritë të plotë. Ishte një fitore konfirmimi dhe na duhej, pasi na ka dhënë shumë optimizëm për vazhdimësinë.

Luhatjet janë hedhur pas krahëve dhe në 180 minutat e fundit keni marrë 6 pikë. Çfarë ndryshoi tek Apolonia?

Pas ndërrimit të trajnerit, na duhej pak kohë. Çdo ekip ka nevojë që të ambientohet me skemat dhe lojën që kërkon “timonieri” i ri. Por, edhe lojtarët po tregojnë rritje nga ndeshja në ndeshje dhe janë minimizuar tej mase gabimet individuale.

Këtë javë prisni Besëlidhjen, a do të vijë fitorja e tretë radhazi?

Jemi të kënaqur pasi kemi arritur një fitore në një transfertë të vështirë si ajo e Besës, por tani duhet përqendrim maksimal në mënyrë që të vazhdojmë me serinë e fitoreve. Presim Besëlidhjen dhe misioni mbetet i njëjtë: pikët e plota.

Sa larg mund të shkojë Apolonia në këtë kampionat?

Kampionati ynë tani ka filluar dhe shpresojmë të vazhdojmë me këto ritme. Shumë shpejt do të jemi aty ku e meritojmë, pasi synimi ynë mbetet ngjitja në “Abissnet Superiore”.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"