Fitore, mentalitet dhe personazhe, Konte në gjurmët e Trapatonit te Interi. Sa shumë ngjashmëri

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Nëntor 12, 2019 | 22:57

Bota Seria A Të fundit

Fitore, mentalitet dhe personazhe, Konte në gjurmët e Trapatonit te Interi. Sa shumë ngjashmëri

Dhjetë fitore, 31 pikë dhe vendi i dytë. Interi i Kontes është Interi më i mirë që kur fitorja vlen 3 pikë. Antonio është nisur më shpejt se Murinjo, Mançini dhe Simoni. 

konte trapatoni

Por, 10 pikët zikaltër në 12 javët e para të Serisë A i ka regjistruar edhe Xhovani Trapatoni në sezonin 1988-’89: ishte skuadra e rekordeve, me Mateusin dhe Brehmen, Berton dhe Serenën, që fitoi titullin me 58 pikë dhe në këtë pikë të sezonit, nëse suksesi do vlente 3 pikë, do ishte në kuotën 32.

Tridhjetë e një vite më pas, Konte vrapon me ritmin e Trapatonit. Të dy simbole të Juventusit, Trapatoni dhe Konte janë transferuar në Milano për të fituar: i pari qëndroi 5 vite dhe u shndërrua në legjendë, i dyti porsa iu bashkua klubit dhe ëndërron të ndërpresë dominimin e Juventusit. Trapatoni dhe Konte janë të ngjashëm: 10 aspekte e afrojnë Interin e sotëm me atë të asaj kohe.

E KALUARA – Të dy trajnerët i janë bashkuar Interit me etiketën e personave të kthesës, por të dy kanë hyrë në ambientin e ri me këmbët e bashkuara. “Nuk vendos limite”, ishte shprehur Konte në konferencën e parë për shtyp si interist. Dhe fjalët e trajnerit janë ndjekur menjëherë nga faktet dhe, falë rezultateve, ka fituar besimin e “San Siro”-s. Edhe pse ai është i ndërtuar kështu, siç shpjegoi pas derbit: “Nuk fle për Interin, jam tifozi i parë”. E tashmja flet vetëm zikaltër.

Giovanni-Trapattoni-Antonio-Conte-Getty-Images

SI TRAJNER – Trapatoni në të kaluarën ka treguar se si është ndier trajner i Interit në 101 për qind sepse roli i tij dhe opinioni ndikonte në çdo zgjedhje të zikaltërve. Menaxhonte merkaton së bashku me presidentin Pelegrini, ashtu siç bën Konte tani, pas eksperiencës te Çelsi ka mësuar të jetë trajner në fushë dhe menaxher jashtë. Trapatoni ka thënë: “Ndërtuam atë Inter të bashkuar, tullë pas tulle”. Konte ka hedhur themele të forta, tani po ngre muret.

RISIA – Interi nuk dëshiron të cilësohet më “i çmendur” (edhe pse disa “fantazma” të së kaluarës ndonjëherë dalin në pah), por “i rregullt dhe i fortë”, siç thotë Konte dhe dëshiron Stiven Zhang. Përtej çdo slogani dhe faktit që në “San Siro” nuk dëgjohet më himni “Inter i çmendur”, Konte dëshiron të evitojë lëkundjet e grupit dhe të humbasë pikë rrugës. Edhe Trapatonit, atëherë, i kërkuan pak a shumë të njëjtat gjëra.

18cal09f10-ka3H-U8010355561BOD-620x349@Gazzetta-Web_articolo

STRATEGJIA – Sot flitet shumë për “betejën” mes trajnerëve që imponojnë lojën dhe atyre që duan rezultatin. Trapatoni ka qenë personi që i përziente të dyja në vitet kur Liedholm përpara dhe Saki më vonë orkestronin revolucionet e tyre taktike. Spektakli ka rëndësinë e tij, por në fund nevojitet fitorja. Konte i ka dhënë Interit së pari një imazh dhe një rregull taktik, më pas kërkoi hapin cilësor. Pëlqen të sulmojë me pesë lojtarë, por kujdes prapa: kryesor është ekuilibri. Sepse fitorja me bindje u pëlqen të gjithëve, por trofetë vijnë edhe nga fitoret e shëmtuara.

SHFRYRJET – Fraza e famshme “Strunz” e Trapatonit në vitin 1999 kujton më së miri shfryrjet e Kontes, i cili përpara se të transferohej tek Interi, si me Juventusin po ashtu edhe me Çelsin, ka shpërthyer në më shumë se një rast. Me zikaltrit Konte nisi në Azi për shkak të merkatos së ngadaltë, më pas ka vazhduar edhe gjatë sezonit. Shfryrja e fundit, pas Dortmundit, ka dhënë një shkëndijë. Sepse Konte e di se çfarë nevojitet për të motivuar: “Bëra një diskutim konstruktiv”, e komentoi, “ndodhem këtu për të rishkruar historinë. Ndihem krenar për këtë Inter”.

konte

LAMTUMIRA ME PESHË – Viti i rekordeve të Trapatonit u hap me një merkato të veçantë ku Interi u dha lamtumirën tre “big”-ëve si Altobeli, Pasarela dhe Shifo. Sot situata është ndryshe por edhe këtu analogjia qëndron. Revolucioni i Kontes nisi me lamtumirën e Perisiçit, Ikardit dhe Naingolanit, jo lojtarë çfarëdo, por simbole të viteve të fundit. Raxha u kërkua nga Spaleti, Mauro dhe Ivani ishin liderët teknikë të rikthimit në Champions, por edhe shkaktarët e më shumë se një polemike.

MBROJTJA – Interi i Trapatonit në 12 ndeshjet e para të sezonit 1988-’89 pësoi vetëm 4 gola. Meritë e një mbrojtjeje të hekurt, me Ferrin, Mandorlinin, Bergomin dhe Brehmen, të vendosur përpara Zengës. Konte e nisi mirë, duke u ndëshkuar vetëm 2 herë në 6 ndeshjet e para, ndërsa tani ka më shumë vështirësi (10 gola në 6 të tjerat). Por prapavija ka megjithatë vlerat e saj. De Vraj punon edhe si “regjisor”, Shkrinjar është lojtari i pazëvendësueshëm. Godinit i duhet edhe pak punë, por pas tij janë Bastoni, Ranokia (në rritje) dhe D’Ambrozio, një xhol gjithmonë e më i çmuar.

PARALELIZMI – Historia tregon se Nikolo Berti ishte një hap larg Napolit dhe vetëm falë një udhëtimi të Trapatonit për të takuar familjen e lojtarit, bëri diferencën. Barela u kërkua nga Napoli, më pas Kaljari i propozoi Romën por asgjë: dëshironte Interin dhe i ishte premtuar Kontes. Në fund ka pasur të drejtë dhe tani është një nga “shtyllat” e trajnerit, edhe pse ka karakteristikat që i afrohen më shumë ideve të këtij të fundit: agresivitet dhe cilësi, pa harruar dëshirën e madhe për të fituar.

KRAHËT – Lojtari simbol i Kontes është Antonio Kandreva. Me Spaletin ishte zhdukur, ndërsa me ish-trajnerin e kombëtares ka rigjetur minuta në fushë, golin dhe në disa ndeshje ka qenë protagonisti i vërtetë, si titullar dhe si rezervë, siç ndodhi në Bolonjë dhe kundër Veronës. Tek Interi i rekordeve në krahun e djathtë luante një numër 7 jo spektakolar, por që në fund rezultoi vendimtar: Alesandro Bianki.

BOMBERËT – Si ka ndryshuar “jeta” me dy qendërsulmuesit: për vite e “burgosur” nga vartësia prej Ikardit, Interi tani ka dy yje të klasit të parë që mbajnë peshën e sulmit. Skuadra e Trapatonit fluturonte me Diazin dhe Serenën, ajo e Kontes është ndërtuar për të ekzaltuar forcën fizike dhe cilësinë e Lukakut dhe Lautaros, që kundër Veronës nuk kanë gjetur golin për herë të parë pasi janë nisur të dy si titullarë. Por, në këtë fillimsezoni Lu-La ka bërë diferencën: 17 gola nga 32.

Përgatiti: LEDIO NASE




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com