“Fitore me vlera, Teuta e synon Europën në dy fronte”, Kallaku flet pas ndeshjes me Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2020 | 21:46

“Fitore me vlera, Teuta e synon Europën në dy fronte”, Kallaku flet pas ndeshjes me Partizanin

Teuta për të dytën herë i falet Sherif Kallakut në përballjen me Partizanin. Ashtu si në fazën e dytë, edhe dje durrsakët fituan me golin e 22-vjeçarit. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, Kallaku pohoi se Teuta mori një fitore të rëndësishme për objektivin europian, ku e kishin edhe fatin me vete. Kallaku tregoi se ka luajtur pesë muaj me moshat e Partizanit, klub i cili po i sjell fat kur luan si kundërshtar. Mesfushori pohoi se Teuta e kërkon Europën nga të dyja frontet, Kupë dhe kampionat. Ndërsa golin e djeshëm ia kushtoi babait të tij.sherif-kallaku-teuta-590x354

Sa e rëndësishme ishte kjo fitore e Teutës në kryeqytet?

Sigurisht që është një fitore e rëndësishme që na çon në rrugën drejt Europës. Me këtë trepikësh kemi krijuar një shkëputje nga Bylisi, që e kishim ndjekësin më të afërt para kësaj sfide. Duke marrë parasysh fitoren e Laçit dhe ndalimin e Kukësit, fitorja jonë ka vlera. Gjithsesi, kjo fitore ka rëndësi edhe për fatin se në shumë ndeshje kemi zhvilluar lojëra të mira, por nuk kemi arritur te trepikëshi. Ndërsa ndaj Partizanit ishte e kundërta, ku kishim edhe fatin me vete besoj.

Në ç’aspekt e kishit fatin me vete?

Siç e përmenda, kemi zhvilluar më herët ndeshje të mira, por asnjëherë nuk kemi fituar. Ndërsa sot (dje) zhvilluam ndeshje të mirë dhe e fituam në fund.

Partizani sikur ju sjell fat edhe personalisht, pasi i shënoni rregullisht. Mos ndoshta kjo vjen edhe nga fakti se keni luajtur me moshat e klubit të kuq?

Është e vërtetë që Partizani më sjell fat, ndërsa me moshat e këtij klubi kam luajtur vetëm pesë muaj. Unë mundohem t’u shënoj të gjitha skuadrave, por Partizani mbetet një shans për mua.

Goli juaj në këtë takim mund të ketë vlera në fund për Teutën në betejën për pjesëmarrjen në Kupat e Europës…

Jo vetëm goli, por edhe loja e ekipit më ngroh gjithmonë për arritjen e objektivit për Europën. Në tri ndeshjet e fundit kemi treguar rritje, pavarësisht rezultateve që kemi marrë.Teuta goli ndaj Partizanit

Keni ndonjë dedikim për golin e fitores ndaj kampionëve në fuqi?

Nuk është se kam ndonjë dedikim special, por këtë gol ia kushtoj vetëm babait tim.

Përmendët objektivin europian. Nga e synon Teuta që ta arrijë, nga kampionati apo Kupa?

Normalisht Kupa është mundësia më e afërt, por duke qenë afër në renditje, pse jo, edhe nga kampionati. Duhet t’i shfrytëzojmë të dyja mundësitë për biletën europiane.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"