Fitore me përmbysje në miqësore, te Kamza presin edhe dy-tre përforcime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2017 | 11:01

Fitore me përmbysje në miqësore, te Kamza presin edhe dy-tre përforcime

Kamza ka zhvilluar dje një ndeshje miqësore me Turbinën. Qëllimi në këtë takim ka qenë për të parë lojtarët e ardhur në provë. Loja është dominuar nga kamzalinjtë, por edhe cërrikasit nuk kanë mbetur prapa. Madje të parët që shënuan ishin miqtë. Shpërthimi i Alket Agalliut u ndërpre në mënyrë të gabuar dhe kryesori Egli Spahiu drejtoi dorën te pika e penalltisë, të cilën e ekzekutoi saktë veterani Roshi.

Kazma

Një gol që hapi lojën dhe ndezi futbollistët që t’i përkushtohen takimit në mënyrë maksimale. Kamza del bukur në sulm me treshen e mesfushës Zefi-Rami-Mumajesi. Ky i fundit ka shënuar një gol spektakolar pas një shpërthimi në zonë dhe gjuajtjes në ecje e sipër. Në fundin e pjesës së parë është kroati Ivan Fushtar që e çon në pushim skuadrën e tij me fitore, duke shënuar një supergol nga një goditje dënimi rreth 25 metra.

Fustar

Në fraksionin e dytë trajnerët aktivizojnë lojtarë të rinj dhe tempi i lojës bie. Të vështira kanë qenë sidomos 10 minutat e fundit, kur errësira mbuloi fushën dhe lojtarët nuk tregonin saktësi në pasime.

Kamza

I riu Kevi Xhafa vulosi për Kamzën fitoren 3-1, duke shënuar një gol të bukur pas goditjes brenda zonës me të djathtën. Në testin e djeshëm u provua edhe korçari me pasaportë greke Joan Beçka, për të cilin stafi teknik ende nuk ka vendosur.

Trajnerët – Ramadan Ndreu i Kamzës pas ndeshjes u shpreh: “Skuadra është në kulmin e ngarkesës fizike dhe për këtë nuk prisja shumë nga loja.

Ramadan Ndreu

Presim dy-tre përforcime të tjera këto ditë dhe mund të them me bindje se e kemi marrë formën e Superiores. Do të përgatitemi për javën e ardhshme, kur skuadra të niset për fazën përgatitore.

Sinan Bardhi

Ndërsa Sinan Bardhi deklaroi: “Jam i kënaqur nga loja e ekipit, megjithëse nuk ishte shumë i rëndësishëm rezultati i ndeshjes”.

Dëmtimet – Tre lojtarë të Kamzës kanë paraqitur probleme dhe nuk janë aktivizuar në miqësoren me Turbinën. Mesfushori japonez Masato Fukui është dëmtuar në pulpën e majtë.

Bruno Arrabal Kamza

Ndërkohë, braziliani Bruno Arrabal ka probleme me kofshën e djathtë. Të dy lojtarët kanë qenë dje nën kujdesin e stafit mjekësor. Ndërkohë, futbollisti nga Kosova, Mërgim Neziraj, ka shkuar me lejen e klubit për dy ditë në Prishtinë, për të tërhequr dokumentacionin.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"