Fitore e hidhur, Napoli mbetet jashtë Champions-it

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2013 | 11:13

Fitore e hidhur, Napoli mbetet jashtë Champions-it

ARSENAL V NAPOLI EMIRATES CUP 2013Një eliminim i hidhur me një numër pikësh rekord, plot 12. Napoli mund Arsenalin në “San Paolo” me dy gola mjaft të bukur të Higuain dhe Kajehon, por është i detyruar të largohet nga Liga e Kampionëve, për shkak të ndeshjeve direkte dhe golavarazhit. Gjithsesi, të kaltrit dalin me nder të shoqëruar nga duartrokitjet e publikut.
Në sprint- Napoli e nis takimin duke shtypur “pedalin e gazit” dhe që në startin e ndeshjes është i rrezikshëm me anë të Higuain, i cili shërbehet në zonë nga Martens, por në momentin e fundit hipnotizohet nga portieri i Arsenalit. Të kaltrit luftojnë në çdo top të inkurajuar nga tekniku Benitez, i cili në mesfushë e fillon takimin me dyshen Behrami-Xhemaili, Inler përfundon në mënyrë surprizë në stol. Por, Arsenali nuk është i “vdekur” dhe mban gjallë profilin e tij prej skuadre teknike, duke kontrolluar më së miri çdo top në mesfushë dhe shpeshherë duke nxjerrë në kundërkohë vendësit. “Topçinjtë”, me qetësi dhe pothuajse të sigurt të kualifikuar, provojnë që të godasin kundërshtarin në minutën e 23-të të pjesës së parë me anë të sulmuesin Zhirud, por konkluzioni i tij nga limitet e zonës gjen të përgatitur portierin e të kaltërve, Rafael, i cili luajti si titullar pasi Reina kishte një problem muskulor. Në minutën e 37-të është Maxho ai që ka një mundësi të mirë ndër këmbë, por në vend që të shërbejë shokët brenda zonës, godet vetë dhe topi i tij përfundon mbi traversën e Sheznit. Ky i fundit bëhet protagonist në fundin e pjesës së parë që shërben gabimisht Higuain, po goditja me kokë e argjentinasit përfundon jashtë. Napoli në pjesën e parë provoi me të gjitha mënyrat për të hapur takimin, i cili u luajt me një ritëm shumë të lartë dhe plot intensitet.
Pa frikë- Me fillim e fraksionit të dytë të lojës të kaltrit prezantohen me të njëjtin guxim që kishin në pjesën e parë. Një ndeshje me shumë kurajë e formacionit të Benitez. Dhe në pjesën e dytë iniciativën për të shënuar e merr Napolit, por goditjet të Martens në fillim dhe Kajehon më pas nuk arrin të gjejnë rrugën e golit. Publiku inkurajon beniaminët e tyre, dhe më në fund në minutën e 73-të të pjesës së dytë, Napoli gjen golin falë një konkluzioni të shkëlqyer të Higuain. Sulmuesi argjentinas kthehet bukur në limitet e zonës dhe ndëshkon Sheznin me një të majtë të shkëlqyer, e cila dërgon sferën në rrjetë. Në ato çaste, Napoli ishte në 1/ 8-ta pasi Dortmundi po barazonte në Francë. Tri minuta më pas miqtë mbeten me 10 lojtarë, pasi Arteta merr kartonin e dytë të verdhë dhe për të kaltrit gjithçka bëhet më e lehtë. Goli i dytë për vendësit vjen në minutën e fundit të takimit me anë të Kajehon, i cili me një parabolë precize nuk i lë shpëtim Arsenalit. Por, pak sekonda më pas vjen lajmi për golin e Dortmundit. Lotët e Higuainit në vërshëllimën finale të gjyqtarit kryesor tregojnë gjithçka. Napoli është jashtë Ligës së Kampionëve, dorëzon armët, por me nder.

Benitez: Jam krenar për këtë skuadër
Trajneri i Napolit, Rafael Benitez, në përfundim të sfidës ndaj Arsenalit ka analizuar lojën e zhvilluar si dhe aventurën e të kaltërve në Ligën e Kampioneve: “Sot ekipi ka treguar se është në rrugën e duhur për t’u bërë i madh. Unë dhe të gjithë tifozët tanë jemi krenarë për këtë skuadër”. Më tej spanjolli ka vijuar të thotë: “Skuadra në këtë kompeticion ka bërë një punë të shkëlqyer, nuk kemi asnjë peng. Gjithsesi, kundër Arsenalit duhej të kishim shënuar më shpejt, por për fatin tonë të keq ishim në një grup ferri dhe u eliminuam me 12 pikë, që është diçka e paprecedent”. Në fund, Benitez është shprehur: “Në Europë kemi bërë një paraqitje më të mirë se në Itali, sepse ndryshe nga kampionati, këtu ekipet luajnë hapur dhe të japin më shumë hapësira për të sulmuar”.

Venger: Kartoni i kuq, i pamerituar
Menaxheri i Arsenalit, Arsen Venger, në përfundim të takimit kundër Napolit, i intervistuar nga BBC, ka deklaruar: “Jam shumë i lumtur për kualifikimin, i cili qe tepër i vështirë, sepse grupi ishte shumë i fortë dhe në fund ishin tri skuadra me pikë të barabarta. Ndeshja? Mendoj se kartoni i kuq i Artetës ishte i pamerituar, pasi edhe ai vetë ma konfirmoi që nuk kishte bërë faull. Luajtëm të qetë, sepse ishim në dijeni të rezultatit të Dortmundit dhe nuk kishim shumë presion. Sigurisht, kur Napoli shënoi golin e dytë, situata ndryshoi disi, por në fund jam i lumtur për fitoren. Pengu i vetëm është se harxhuam shumë energji dhe na pret një ndeshje e fortë në kampionat ndaj Sitit”, – tha ai.
Përgatiti: LEAR MAÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"