“Fitoni 3 ndeshje ose m’u zhdukni nga sytë”, zbardhet mbledhja e acaruar te Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2017 | 9:23

“Fitoni 3 ndeshje ose m’u zhdukni nga sytë”, zbardhet mbledhja e acaruar te Kukësi

Kukësi ka humbur një ndeshje mjaft të rëndësishme në transfertë ndaj Skënderbeut në një moment kyç të kampionatit, pasi një fitore e afronte skuadrën tri pikë me vendin e parë, ndërkohë që humbja e largoi me nëntë pikë. Ky rezultat ishte tepër zhgënjyes për gjithë ambientin sportiv kuksian duke filluar që nga tifozët, lojtarët, stafi, e deri te kreu i klubit, Safet Gjici.

Safet Gjici Kukesi

Mbas përfundimit të takimit, numri një i klubit, i zhgënjyer nga humbja, u largua me herët nga stadiumi i Skënderbeut dhe lajmëroi për mbledhje urgjente stafin dhe disa prej senatorëve të ekipit. Mbledhja filloi dje në orën 09:00 të mëngjesit në zyrën e Gjicit dhe për plot 1 orë e 40 minuta, krerët më lartë të klubit së bashku me lojtarët kanë diskutuar për disfatën e Korçës.

Gjici mbledh Kukesin

MBLEDHJA

Në takim morën pjesë presidenti Gjici, stafi teknik me në krye trajnerin Milnikoviç, stafi administrativ me shefin e klubit, Jonuz Hallaçin, dhe menaxheri i klubit, Naim Halili. Në radhët e lojtarëve u thirrën katër prej emblemave të ekipit aktual me në krye kapitenin Ylli Shametin, ish-kapitenin Rrahman Hallaçi, zëvendëskapiteni Besar Musolli dhe sulmuesi Elis Bakaj.

Safet Gjici

“Panorama Sport” zbardh momentet më pikante të mbledhjes, debatet e ashpra, akuzat dhe kundërakuzat më tone të larta që ndodhën në këtë takim urgjent. Presidenti Gjici ka kërkuar llogari për këtë humbje, ku trajneri Milinkoviç ka theksuar se lojtarët nuk zbatuan detyrat e dhëna prej tij e më pas, debati ka vijuar mes trajnerit dhe menaxherit Halili, i cili i ka dalë hapur kundër,  ku ka i ka theksuar presidentit se është faji i trajnerit që Kukësi ka këto rezultate duke i nxjerrë në pah dhe numëruar gabimet e trajnerit.

gjici kukesi

Por, ka qenë presidenti Gjici ai që ka mbrojtur trajnerin duke ia hedhur fajin lojtarëve dhe vetë menaxherit Halili për merkaton. Palët kanë akuzuar njëri-tjetrin derisa në fund janë marrë vendimet për të ardhmen. Madje, presidenti ka sulmuar dhe lojtarët duke iu kujtuar rrogat e dhëna dhe premtimin e tyre për fitore, por duke ditur rëndësinë e senatorëve dhe ata çka ata japin në fushë, kreu i klubit është rezervuar paksa, pasi çështja i çalon te futbollistët e tjerë në ekip jo te katërshja që ishin prezent.

Kukesi

Gjithsesi, fakti që ata janë boshti i ekipit, i bën të mbajnë edhe përgjegjësi më të madhe. Presidenti Gjici në fund ka vënë kusht, tri fitore në tre takimet e radhës. Në rast se një gjë e tillë nuk realizohet, presidenti i verilindorëve pritet të marrë masa drastike për lojtarët.

DEBATI I PLOTË

GJICI, TË PRANISHMËVE: Ju kam thirrur këtu të gjithëve sepse morëm një humbje, e cila na nxjerr nga gara për titull e kjo tërësisht për fajin tuaj të gjithëve që jeni këtu. Ca më keni kërkuar dhe se kam bërë? Kështu që turp të keni të gjithë që ne jemi në këtë gjendje. Ca ishte kjo humbje, ma thoni ju mua, ca ishte kjo humbje? Por, do ta shikoni ju të gjithë, dëgjojeni mirë ca ju thotë Safeti. Me djersën time nuk ka burrë nëne të tallet. Sot nuk dilni nga këtu pa gjetur shkaqet pse ne humbëm dhe pse jemi 9 pikë larg vendit të parë.

GJICI, FUTBOLLISTËVE: Po ju çe kishit atë ndeshje? Më kërkuat rrogat. Më thatë që na jep rrogat e do fitojmë ndeshjen, jua dhashë, pse nuk fituat ore mashtrusa, pse nuk fituat, ca doni të bëj më unë për ju? Stafi ju ka qëndruar mbrapa gjatë gjithë kohës, ndërsa ju, ja ça bëtë atje, ça doni më? Tani 9 pikë në tre takimet e radhës ose m’u zhdukni të gjithë, nuk dua t’ju shoh më me sy. Futbollistët nuk reagojnë. Gjici, trajnerit: Sipas teje pse nuk fituam, nuk e kuptoj pse ne jemi në këtë gjendje. Ca më keni kërkuar, ua kam plotësuar.

MILINKOVIÇ: Ke të drejtë, ne bëmë çfarë ishte e mundur, por bëmë gabime shumë në fushë, lojtarët nuk zbatuan detyrat që unë iu dhashë në fushë.

NDËRHYN MENAXHERI HALILI: Si more i pacipë ua hedh fajin lojtarëve, po çfarë trajneri je ti? Kur nuk të binden lojtarët, atëherë largohu. Nëse s’të binden lojtarët atëherë hap krahun, ik, largohu. 9 pikë mbrapa do të thotë shumë për Kukësin, në momentet tona më të këqija historike nuk kemi qenë kurrë kaq mbrapa. Faji është i yti. Ke pasur kohë mjaftueshëm, ndaj të gjitha këto tregojnë që je i paaftë.

NDËRHYN GJICI: Ti Naim e ke fajin që ke bërë merkaton, ti nuk ke sjellë lojtarët e duhur. HALILI: Po a nuk ishte ky (i drejtohet trajnerit) që më kërkoi Koliçin, Allën dhe Kërkotiç, e më tha që më sill këta të tre dhe jam kampion. Ia solla, ku është tani. Ky do të gjejë të keqen te lojtarët, por ky është e keqja. Trajneri ka gabuar në zëvendësime, nuk di të lexojë lojën, dje nuk nxori nga loja një lojtar në mesfushë dhe një prej sulmuesve që nuk ishin në nivelin e duhur, por as këtë nuk është në gjendje ta dallojë, kështu që të largohet.

GJICI: Atë e vendos unë, jo ti, trajneri nuk do të largohet. Dua tri fitore radhazi, 9 pikë, ndryshe nuk dua të shoh asnjërin prej jush këtu. Dhe ekipi s’ka më asnjë lekë. Më thanë që na jep rrogat dhe nëse nuk fitojmë, nuk duam më asnjë lekë, tani s’kanë më asnjë lekë. Përgatituni të gjithë mirë se më nuk fal askënd, të pafytyrë që më nxitë faqen me këto rezultate.

Më pas vijojnë debatet, por me tonë më të ulëta, ku Gjici kërkon me ngulm tri fitoret e më pas do zbatohet strategjia e merkatos duke u bazuar te vendi që Kukësi do të zërë në fund të fazës së dytë. Pas përfundimit të takimit, palët janë larguar, ndërkohë që trajneri Milinkoviç do të vazhdojë punën duke pasur votëbesimin e presidentit Gjici, i cili ka vënë veton përqendrimi e tij.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"