Fiton Tirana, bardheblutë “likuidojnë” lezhjanët për 37 minuta, shkëlqen Muzaka

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2015 | 13:37

Fiton Tirana, bardheblutë “likuidojnë” lezhjanët për 37 minuta, shkëlqen Muzaka

tiranaTirana ka kaluar lehtësisht Besëlidhjen. Bardheblutë kanë fituar me shifrat 3-1 ndaj lezhjanëve në stadiumin “Besa” të Kavajës. Prova e tretë për këtë periudhë përgatitjesh ka përfunduar me sukses për ekipin e Maganit, ku vlen të përmendet se ka spikatur Gjergji Muzaka. Mesfushori ka realizuar një dopietë personale, duke dëshmuar se ai do të jetë një nga elementët kyç për pjesën e mbetur të këtij sezoni. Pas nuk mbetet as Tomislav Bushiç, që edhe në këtë ndeshje miqësore ka gjetur rrjetën. Ka qenë një sfidë e dominuar totalisht nga Tirana, por ku nuk kanë munguar as nervat dhe debatet, që janë shoqëruar edhe me një karton të kuq. Entonio Pashaj ka lënë fushën, pas një diskutimi të panevojshëm me anësorin dhe kryesorin e kësaj sfide.
Pjesa e parë I kushtëzuar nga dëmtimet, trajneri e ka nisur me mungesa këtë duel. Që në minutat e para konstatohet lehtë dominimi dhe klasi i Tiranës që nis të organizojë sulmet e para drejt portës lezhjane. Loja e bardhebluve është e rrjedhshme, e ku Bakaj si një organizator i shkëlqyer punoi mjaft për dyshen Bushiç-Muzaka. Është një Tiranë komplet superiore që zotëron lojën, pavarësisht se golin e gjen në minutën e 23-të. Top në zonën e Besëlidhjes, Muzaka i ndodhur aty, godet shpejt dhe zhbllokon shifrat në 1- 0. Goli i tij do të pasohej nga Bushiç, i cili pas 4 minutash godet në hyrje të zonës, dërgon topin në rrjetë dhe 2-0. Muzaka duket në një formë të shkëlqyer, dhe në të 37′ gjen edhe golin e tretë për ekipin dhe të dytin personal. Kros nga krahët, gjuan dhe 3-0. Gjatë kësaj kohe miqtë nga Lezha nuk reagojnë dot, pasi bardheblutë nuk shfaqen vetëm të kujdesshëm në vijën e parë, por edhe në mbrojtje.
Pjesa e dytë Në 45 minutat e dyta, të dy trajnerët kryejnë një mori zëvendësimesh, për t’u dhënë minuta edhe lojtarëve të tjerë që ishin në dispozicion. Tirana provon edhe dy lojtarë, mbrojtësin nga Kosova, Lapidar Lladrovci dhe sulmuesin Alban Ibrahimi, por vetëm i pari ka bindur dhe pritet që të vëzhgohet edhe disa ditë. Ritmi i lojës ra krahasuar me të parën, ndonëse duhet pranuar se Besëlidhja u zgjua disi. Ata nuk arritën dot të baraspeshonin Tiranën, megjithatë në momentet të veçanta krijuan rastet e tyre, por pa gjetur dot rrugën e rrjetës. Në minutën e 77-të, një debat i panevojshëm i Entonio Pashajt me anësorin fillimisht, e më pas me kryesorin bëri që ai të ndëshkohet me kartonin e kuq. Në fund të takimit miqtë fitojnë një 11-metërsh, të cilin e kthen në gol A. Hoxha. Fundi i kësaj miqësoreje nuk rezervon më surpriza, duke u mbyllur me shifrat finale 3-1 për llogari të kryeqytetasve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"