Fiton Elbasani, tani i vetëm në krye

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2014 | 9:40

Fiton Elbasani, tani i vetëm në krye

Elbasani nuk ka falur në stadiumin “Nexhip Trungu” të Cërrikut, ku ka mundur Tomorin me rezultatin minimal 1- 0, duke vijuar kështu suksesin drejt realizimit të objektivit “Superiore”. Verdheblutë i janë falur portierit Kotorri ndaj beratasve, i cili nga pika e bardhë u ka dhënë tri pikët të tijve. Pas këtij triumfi, të besuarit e Ilirjan Files kryesojnë të vetëm në klasifikim, kjo edhe pas barazimit të Apolonisë, rivalja e tyre më e afërt.

ELBASANI – TOMORI 1-0
GOLI: Kotorri 18’ (11-m)
ELBASANI: Kotorri, Merxha, Mehmetaj, Pisha, Jaupi, Kaçuli, Kuçi (Duka 89’), Rezi (Martins 63’), Toçi (Isaji 78’), Gava, Shazivari. Trajner: I.File
TOMORI: Kaloshi, Çaço, Bitri, Daçi, Kuçi, Gega, Gjoni (Shinko 77’), Sharavolli (Lapardhaja 82’), Myzyri (Berberi 88’), Uzuni, Foniqi. Trajner: M.Muxhaj
KARTONË TË VERDHË: Mehmetaj 75’, Toçi 23’
GJYQTARË: B.Ziri, E.Veseli, Sh.Ziri (Fushëkrujë);

Ndeshja – Loja nis e shpejtë për verdheblutë, të cilët kërkojnë të shënojnë golin e avantazhit. Kështu, në minutën e 15-të, vendësit japin shkëndijën e parë me anë të Rezit, i cili tenton një gjysmë roveshatë brenda zonës, por pa arritur të rrezikojë. Një minutë më pas është Kuçi, që tenton me goditje dënimi, por pa sukses. Në këto minuta epërsie verdheblutë shpërqendrojnë mbrojtjen beratase. Në minutën e 18-të Shazivari tërhiqet nga fanella brenda zonës dhe kryesori B.Ziri akordon 11-metërsh. Çuditërisht penalltia ekzekutohet nga portieri Elvis Kotorri, i cili nuk gabon duke e shndërruar në gol. Elbasani vijon të shfaqet agresiv. Në minutën e 27-të Rezi gjuan fort, por topi godet shtyllën. Në të 35-ën minutë verdheblutë kanë sërish një mundësi ideale për shënim, por Merxha vetëm 4 metra larg portës, nuk arrin ta mposhtë portierin Kaloshi. Beratasit reagojnë me anë të Foniqit në minutën e 36-të, i cili godet me kokë, por jashtë kuadratit. Pavarësisht rasteve, kjo pjesë nuk dhuroi më gol.
Pjesa e dytë – Në fraksionin e dytë të lojës beratasit duken më kërkues. Myzyri godet befasishëm me të djathtën, por portieri Kotorri është i vëmendshëm duke neutralizuar gjithçka. Zëvendësimet e kryera nga të dyja kampet duket sikur i kanë dhënë më tepër freski lojës. Aktivizimi i brazilianit Martins nga trajneri Ilirjan File ka ofruar më tepër lojë ofensive për elbasanasit. Në minutën e 64-t, mesfushori ndërmerr një inkursion të shpejtë nga e majta, duke dribluar tre lojtarë, por pa sukses. Beratasit nuk rreshtin së kërkuari golin e barazimit, madje janë pranë tij në të 78- ën minutë me Uzunin, i cili gjuan fort, por pret Kotorri. 10 minutat e mbetura të takimit janë pa histori, Elbasani merr tri pikët dhe tani ndodhet i vetëm në krye.

File: Jemi në rrugën e duhur!
Numri një i pankinës së Elbasanit, Ilirjan File, pas ndeshjes me beratasit ku skuadra arriti të merrte 3 pikët, u shpreh se janë në rrugën e duhur. “E kishim vlerësuar maksimalisht këtë takim, pasi na duheshin me çdo kusht tri pikët. Duke pasur synim ngjitjen në Superiore, hapat falsë kurrsesi nuk na lejoheshin. Luajtëm realisht në një terren jo të përshtatshëm për zhvillimin e një loje normale. Kundërshtari ishte i përgatitur dhe në nivelin e duhur për të na vënë në vështirësi. Jemi në rrugën e duhur drejt objektivit. I uroj suksese Tomorit!”, – ka përfunduar File.

Muxhaj: Fusha krijoi probleme
Madrid Muxhaj, numri një i pankinës së Tomorit, pas përfundimit të takimit në konferencën për shtyp, u shpreh se terreni krijoi mjaft probleme. “Erdhëm në Cërrik për të zhvilluar futboll, por realisht kjo ishte e vështirë, pasi fusha krijonte mjaft probleme për lojtarët. Në fakt, Elbasani dha më tepër për të arritur fitoren dhe mendoj se e meritoi plotësisht atë. Nuk kam kontestime për penalltinë, por besoj se edhe Tomori kishte mjaft episode, të cilat mund t’i kishte shfrytëzuar më mirë. U uroj suksese elbasanasve në rrugën drejt ngjitjes në Kategorinë Superiore”, – ka përfunduar trajneri i beratasve.
FLORENC MANARI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"