“Fitojmë dhe në 3 të mëngjesit”, deklarata thumbuese. Ish-mbrojtësi lushnjar “injoron” rivalët fierakë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2020 | 10:40

“Fitojmë dhe në 3 të mëngjesit”, deklarata thumbuese. Ish-mbrojtësi lushnjar “injoron” rivalët fierakë

Lushnjarët janë të fokusuar totalisht te derbi me Apoloninë. Alban Byzhyti, një nga futbollistët më të spikatur të Lushnjës, Shkumbinit dhe Tomorit, me një karrierë 16- vjeçare (2002-2018), e ka përjetuar jo pak herë edhe derbin me Apoloninë. 

Byzhyti

Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai shpreh bindjen e plotë se Lushnja është skuadra më e mirë e Grupit B dhe se meriton të luajë në elitën e futbollit shqiptar sezonin e ardhshëm.

SUPERIORJA – “Kanë përfunduar dy faza kampionati dhe opinioni im është i qartë, skuadra e Lushnjës, me futbollistët që ka, është me 100% në Kategorinë Superiore. Vetëm nëse nuk do ta lejojnë faktorë të jashtëm, siç ndodh rëndom në futbollin shqiptar, ku fituesi përcaktohet, ajo do të mbetet në të Parën. Edhe tani që Lushnja është 4 pikë më pak nga vendi i parë dhe dy pikë më pak nga vendi i dytë, e them i sigurt se me 100% Lushnja është në Superiore si fituese e Grupit B.

Është skuadra më e mirë, më e kompletuara dhe me një mbështetje të madhe financiare nga ana e bashkisë. Kam luajtur shumë vite te Lushnja dhe bashkia e qytetit i jep një mbështetje të madhe futbollit, është shumë korrekte me futbollistët. Nëse faza e “play off”-it, pra 6 ndeshjet e fundit luhen drejt dhe pastër, Lushnja merr 18 pikë dhe shkon në vend të parë”, thekson Byzhyti.

Byzhyti45

DERBI – Për derbin me Apoloninë, ish-futbollisti lushnjar që i ka luajtur të gjitha rolet në skuadrën verdhejeshile, deklaron: “Dimë që ndeshja do të luhet të shtunën e ardhshme, në orën 3 pasdite. Lushnja e mund Apoloninë edhe në orën 3 të mëngjesit. Me ekipin që ka dhe me futbollin që bën Lushnja, e mund Apoloninë.

Do të jem në stadium dhe do ta shoh derbin, nuk diskutohet. Me futboll korrekt, Lushnja e fiton derbin edhe në Fier. Kam luajtur disa herë në derbi edhe kam shënuar, prandaj e di që me lojë të ndershme skuadra jonë fiton. Nëse nuk dëmtohet nga jashtë, Lushnja fiton, siç ka fituar edhe dy herë gjatë këtij sezoni”.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"