“Fitoj titullin dhe largohem”, mesfushori i Partizanit flet hapur: Menaxherët po punojnë, shpresoj të transferohem…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2021 | 23:49


“Fitoj titullin dhe largohem”, mesfushori i Partizanit flet hapur: Menaxherët po punojnë, shpresoj të transferohem…

Rron Broja ka folur hapur për të ardhmen e tij. Mesfushori i Partizanit pranoi se menaxherët e tij po punojnë për të gjetur një ekip të ri në verë, duke shpresuar që transferimi i ardhshëm të mos dështojë si ai transferim te Sivaspori disa vite më parë. Gjithashtu, 24-vjeçari u shpreh për “Koha.net” se dëshiron edhe të grumbullohet nga përfaqësuesja e Kosovës, ndërsa për sezonin aktual me Partizanin, shpreson të fitojë titullin kampion.

broja-1

DËSHTIMI I TRANSFERIMIT – Në janar të vitit 2018, Rron Broja ishte shumë pranë transferimit te Sivaspori në Turqi, por siç e thotë dhe vetë mesfushori, nuk e kuptoi se pse dështoi në momentet e fundit: “Kalimi te Sivaspori dështoi në fund. Isha shumë afër firmës. Ka qenë e komplikuar dhe nuk e di as vetë se çfarë ndodhi. Por, ajo që e di është se dështoi. Nuk kam ndonjë informatë shtesë, por besoj se dështimi ndodhi prej menaxherëve. Shqipëria ka kampionat më të fortë. Ka biseda, po ende asgjë konkrete”.

E ARDHMJA – Kontrata e Brojës me Partizanin skadon në fund të këtij sezoni dhe rinovimi duket larg. Gjatë muajit janar, Broja kërkohej nga ekipi hungarez i MOL Fehervar, megjithatë nuk u arrit akordi. Ndërsa në merkaton e verës, Broja pranoi se e sheh të vështirë të qëndrojë te Partizani, duke thënë se kontrata e tij skadon dhe se menaxherët i kanë kontaktuar se po punojnë për t’u transferuar diku tjetër: “Deri në fund të këtij sezoni, jam pjesë e Partizanit e më pas të shohim, sepse më përfundon kontrata. Ka fjalë nga menaxherët dhe shpresoj të bëhet diku. Fundi i sezonit vjen shumë shpejt, por besoj që do të bëhet diku këtë herë. Shpresoj të dalim edhe kampionë me Partizanin dhe pastaj, do të jetë edhe më e lehtë për mua”.

ron broja

KOSOVA – Paraqitjet e Brojës këtë sezon kanë qenë mjaft pozitive. Mesfushori ka treguar një ritëm të kënaqshëm dhe ka bërë mirë në rolin e mesfushorit para mbrojtjes. Falë këtyre paraqitjeve, Broja mendon se e meriton një vend në përfaqësuesen e Kosovës, si dhe një transferim në një skuadër jashtë Shqipërie do ta ndihmonte edhe më shumë për të arritur këtë objektiv të tij personal: “Në Shqipëri, gjërat po shkojnë mirë, shumica e ndeshjeve kanë qenë pozitive. Është koha dhe shpresoj që gjatë verës të arrij të transferohem jashtë vendit. Me kalimin tim te ndonjë skuadër e mirë ku do të aktivizohesha rregullisht, besoj se do të isha kthyer edhe te Kosova”.

VERONIK ISTREFAJ-PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/