Fitoi “Këpucën e Artë”, Qardaku: E meritova, por mund të shënoja më shumë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2022 | 21:18

Fitoi “Këpucën e Artë”, Qardaku: E meritova, por mund të shënoja më shumë

Bylisi e mbylli në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin 2021-2022. Ballshiotët fituan titullin kampion në Kategorinë e Parë dhe brenda një viti rikthehen mes më të mirëve të futbollit shqiptar. Stafi dhe skuadra nuk i kanë marrë pushimet, pasi një pjesë e mirë e lojtarëve janë të angazhuar me U-19 dhe U-21.

qardaku

Në Ballsh krenohen edhe me “Këpucën e Artë” të kampionatit, Eridon Qardaku. Në 28 ndeshje që është aktivizuar ai e gjeti 20 herë rrugën e rrjetës dhe zyrtarisht u shpall kryegolashënues. Sulmuesi ishte në superformë, e megjithatë mendon se mund të kishte bërë edhe më shumë. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, shkodrani skanon ecurinë e skuadrës, por edhe të vetën.

“Ka qenë një sezon shumë i mirë i interpretuar nga ne. Po të analizojmë me detaje, kemi dominuar ndaj rivalëve dhe kemi vendosur rekorde në çdo fushë, madje kemi shkuar edhe në thuajse tërë fazën e parë me pikët maksimale. Gara ka pasur rivalitet, por Bylisi ka treguar atë skuadrën e mirorganizuar dhe me ego për sukses. Sikurse dihet, që në fillim të sezonit presidenca mendoi rikthimin e shpejtë duke bërë sakrifica financiare. U ngjitëm në elitë tri javë para, por edhe mund ta vrisnim më shpejt garën për Superioren, gjithsesi titulli ishte si ‘qershia mbi tortë’. Jam shumë i lumtur që realizuam synimin madhor”, tha fillimisht 21-vjeçari.

Ai u ndal edhe te trofeu personal, që e quan të merituar. “Po, m’u dha besimi këtë sezon dhe arritëm që si grup të ishim në nivele të larta. Golin e kam ves, madje edhe vjet në Superiore kam dhuruar të tillë. Mund të shënoja edhe më shumë, por po t’i bësh golat e kampionatit dhe të Kupës bashkë, jam në pritshmëritë e mia. Ky sezon ka qenë sezoni im dhe i Bylisit, për faktin se u rikthyem në elitë, fituam titullin dhe unë fitova ‘Këpucën e Artë’. Kështu që, them se duhet të kënaqemi dhe unë u jam mirënjohës presidencës, trajnerit Beqiri dhe stafit, por edhe tifozëve që tashmë edhe ata duhet të ndihen superiorë”, përfundoi sulmuesi i Bylisit.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"