Fitoi Champions-in, trajneri Gurabardhi: Ja si e zbulova Erblira Bicin. Ishte mbipeshë, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2019 | 18:17

Fitoi Champions-in, trajneri Gurabardhi: Ja si e zbulova Erblira Bicin. Ishte mbipeshë, por…

Vetëm 10 ditë më parë, volejbollistja Erblira Bici regjistroi suksesin më të madh që një lojtare shqiptare ka arritur në histori, duke u shpallur kampione Europe me skuadrën e saj të Novarës. Në finalen e zhvilluar në Berlin ishte i pranishëm edhe Hasan Gurabardhi, një prej trajnerëve më fitues në historinë e volejbollit shqiptar.

erbliraa bici

Ka qenë pikërisht Gurabardhi ai që e ka zbuluar Bicin, kur ajo ishte në një moshë fare të re dhe për 6 vite ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e një prej lojtareve më të rëndësishme që ka prodhuar sporti i rrjetës në vendin tonë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri Gurabardhi rrëfen sesi ra në gjurmët Bicit, kur ajo ishte vetëm 12 vjeçe dhe etapat e karrierës deri në ngjitjen në majën e Europës.

ZBULIMI

Grubardhi tregon sesi një ndeshje miqësore solli zbulimin e talentit më të madh që Shqipëria ka nxjerrë në dekadat e fundit. “Si fillim dua ta nis me një thënie që përdoret shpesh në sport, ‘Që të bëhesh një sportiste e niveleve të larta ndikojnë tre faktorë, talenti i lindur, puna dhe fati’. Tek Erblira Bici, këta tre faktorë kanë ndikuar që në fillim. Për herë të parë Bicin e kam parë në moshën 12- vjeçare, në vitin 2007, gjatë kohës kur isha trajner i Partizanit. Bashkia e Gramshit na ftoi pasi kishin organizuar një aktivitet me ekipin tonë.erblira bici

Ekipi i Gramshit ishte deri në grupmoshën 16-vjeçare, ndërkohë që Bici ende nuk kishte mbushur 12-vjeçe. Sapo nisi loja, mund të them se në asnjë moment nuk kam parë ekipin tim, por më bëri menjëherë përshtypje kjo lojtare kaq e re. Ishte një vajzë shtatlartë, e shëndoshë dhe dallonte te skuadra e Gramshit, pasi ishte shumë më e gjatë se të tjerat. Po prisja me padurim që të mbaronte ndeshja dhe sapo përfundoi, kam shkuar me shefin e klubit te babai i Erblirës, të cilit i kam thënë se vajza është talent dhe duhet të vijë urgjentisht në Tiranë. Ai më tha se është shumë e vogël dhe sapo të mbarojë 9- vjeçaren, në qoftë se do vazhdojë me këto cilësi, atëherë mund të bëhet diçka.

Në atë kohë unë isha zv.trajner me ekipin kombëtar dhe sapo u ktheva, e ngrita si problem që kjo vajzë duhet të grumbullohet menjëherë me ekipet e moshave. Kombëtarja e grumbulloi, por duke parë që në Gramsh kishte skuadër deri te paratërejat, kur bënte stërvitje dy herë në ditë, shfaqte problem fizike. Më pas, në vitin 2010, babai i Erblirës më telefonon dhe më njofton se vajza e kishte përfunduar shkollën 9-vjeçare dhe se kishte ardhur momenti që mund të vinte në kryeqytet. Këtu dua të përmend edhe fatin, pasi në këtë kohë isha trajner i skuadrës së Tiranës ku kishim edhe një sponsor të fuqishëm që i përkrahte shumë lojtaret financiarisht. Kështu, në moshën 15- vjeçare, kjo lojtare erdhi në radhët e skuadrës së Tiranës”.

PROBLEMI I MBIPESHËS

Kur shkoi në radhët e Tiranës, Bici menjëherë ra në sy për talentin që posedonte. Mirëpo, kishte një problem që duhej zgjidhur sa më parë, i cili ishte mbipesha, situatë e cila u kalua shumë shpejt. Ja si e tregon trajneri Gurabardhi momentin e kalimit nga provinca e Gramshit në një prej skuadrave më të mëdha si Tirana: “Problemi më i madh për Bicin kur erdhi në kryeqytet ishte mbipesha. Kam punuar shumë që të arrinte të dobësohej, sigurisht duke i evituar edhe dëmtimet. Familjes i kam thënë që në fillim se do të bëhej një lojtare e madhe, por që duhet bërë shumë kujdes në menaxhimin e pjesës fizike dhe të ushqimit.

Bici

Më pas, gradualisht filloi duke rënë në peshë dhe ky ka qenë fillimi i saj në radhët e Tiranës”, tregon trajneri, që më pas flet për ndeshjet e para kur lojtarja nisi të bënte diferencën: “Ne atë vit merrnim pjesë në Ligën e Kampionëve dhe unë e kam aktivizuar për herë të parë me shumë kurajë në moshën 15- vjeçare, kur luanim ndaj ekipit kampion të Zvicrës. Mbaj mend që e ndërrova me Iva Xhixhën dhe të gjithë u befasuan. E vetmja këshillë që i dhashë ishte të mos e ulë dorën dhe goditi bllokun lart. Ishte një vajzë aq e zgjuar dhe aq e talentuar që i kishte të lindura këto cilësi. Luajti shumë, aqsa i bëri përshtypje edhe trajnerit gjerman që drejtonte të skuadrën kundërshtare, i cili u befasua edhe më shumë kur i treguam moshën pas ndeshjes.

Pas dy vitesh unë u transferova te skuadra e Barletit dhe në të njëjtën kohë edhe Erblira erdhi më mua në këtë skuadër dhe hap pas hapi filloi të shfaqte vlerat e saj. Në vitin 2013, kur ishim në eliminatoret e kampionatit botëror, Bici vetëm 18 vjeç, e mundi thuajse e vetme skuadrën e Moldavisë. Aty kishte skuadra si Ukraina, Hungaria apo Moldavia dhe të gjithë nisën të interesoheshin për të. U bë pa diskutim pika kyçe e Kombëtares dhe e skuadrës Marin Barleti. Me goditje ‘vdekjeprurëse’, ashtu siç i themi në gjuhën e volejbollit”.

hasan gurabardhi

PIKA MË E FORTË

“Armët më të forta të Bicit janë gjuajtjet, forca dhe shpërthimi. Por është një lojtare që i ka të gjitha, pasi kërcen lart, duke pasur kështu një bllok shumë të lartë. Gjithashtu, ka shërbim të fuqishëm, të cilin e bën edhe me kërcim, por edhe në formë tenisi. Pra, elementët i ka të gjithë dhe falë zotit deri tani nuk ka pasur asnjë dëmtim. Një lojtare me cilësi të jashtëzakonshme fizike dhe teknike”.

KALIMI NË ITALI

Erblira Bici u bë një prej lojtareve më të mira të kampionatit tonë dhe një pikë fikse e Kombëtares. Kalimi në një nivel më të lartë ishte i pritshëm për të dhe ofertat ishin të shumta. “Sigurisht që e mendonim se do të arrinte shumë lart. Qëkur erdhi ardhur në fillim te Tirana, unë i kam thënë menaxherit që ajo vajzë në të ardhmen do të luante në Serinë A1, gjë që me kalimin e viteve u realizua. Në moshën 21-vjeçare, kur përfundoi studimet e larta në Universitetin Marin Barleti, vendosi që ta vazhdojë karrierën në Itali, gjë të cilën ia kishim sugjeruar, si unë, Kreshnik Tartari apo Leonard Tase dhe sigurisht edhe me mbështetjen e familjes. Siç e dini, ajo u shpall dy vite lojtarja më e mirë atje. Më pas ra në gjurmët e skuadrës së Novarës, që është edhe niveli më i lartë i volejbollit botëror”, thotë tekniku.

FINALJA E BERLINIT

Trajneri 61-vjeçar ishte i pranishëm edhe në finale e Champions-it, që u zhvillua në Berlin, ku Novara mposhti 3-1 Konelianon. Ja si e tregon ai këtë eksperiencë: “Sapo doli në finale, Erblira Bici më ftoi zyrtarisht me familjen duke na prerë 6 bileta. Pa diskutim që shkuam me kënaqësinë më të madhe për ta ndjekur. Ishte diçka e jashtëzakonshme kur u ulëm atje së bashku me prindërit dhe të afërmit e të gjitha lojtareve të Novarës. Vajzat e mia ishin veshur të tria me fanellën e personalizuar të Erblirës dhe ishte diçka vërtet e jashtëzakonshme.

Të shihje një lojtare shqiptare aty ku ishin volejbollistet më të mira të botës, ishte diçka prekëse dhe madhështore. Ka qenë vërtet diçka shumë emocionuese. Jam shumë krenar që kam pasur mundësinë të punoj me atë vajzë”. Ishtekniku i Barletit flet edhe për të ardhmen e kapitenes kuqezi: “Këtë sezon besoj se Bici do të ndryshojë skuadër, por mendoj se do të mbetet përsëri në Serinë A në Itali, në një skuadër ku të jetë pjesë e formacionit bazë, por sigurisht të vazhdojë të luajë në këto nivele, ku të ketë përballë lojtaret më të mira të botës dhe do të rritet edhe më shumë në aspektin profesional”.

PODIUMI I LOJTAREVE

Duke parë arritjen e jashtëzakonshme të 23-vjeçares, natyrshëm lind pyetja se në cilën shkallë të podiumit të lojtareve kuqezi në të gjitha kohërat renditet ajo. Ja si shprehet Gurabardhi për këtë temë: “Ky debat bëhet në çdo sport, por unë mund të them që çdo periudhë apo dekadë ka heronjtë e vet. Erblira Bici në dekadën e saj është pa diskutim lojtarja më e mirë në Shqipëri dhe futet në lojtaret më të mira të historisë së volejbollit tonë, por që nuk mund të bëj krahasime ndërmjet periudhave të ndryshme.

Por, kjo që arriti Erblira Bici është suksesi më i madh në histori që një lojtare shqiptare ka arritur në sportet kryesore, siç janë futbolli, basketbolli apo volejbolli. Pa harruar që është ende në një moshë të re dhe ka mundësi të përmirësohet edhe më shumë. Me talentin që ka dhe me punën si profesioniste që bën në skuadrën e saj, e cila është nivelet më të lartë në Itali, niveli i Erblirës do të vijë në rritje”.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"