“Firo” te Lushnja, ikin dy ekspertë të mbrojtjes. Trajneri Gjyla: Ja e vërteta e largimeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2019 | 21:11

“Firo” te Lushnja, ikin dy ekspertë të mbrojtjes. Trajneri Gjyla: Ja e vërteta e largimeve

Kur te Lushnja priten afrimet e radhës, zyrtarizohen dy largime. Dy mbrojtësit e qendrës, dy ekspertë të prapavijës, lushnjarët Erjon Xhafa dhe Franci Bufasi, nuk janë më pjesë e skuadrës verdhejeshile.

Lushnja

Janë largime që hapin një “gropë” të madhe në qendrën e mbrojtjes së Lushnjës. I çuditshëm është fakti që nga ekipi largohen dy futbollistë lushnjarë dhe të dy me përvojë, por kjo është zgjedhja e trajnerit Gjyla, e konfirmuar nga ai vetë.

XHAFA

Erjon Xhafa bëri një postim në rrjetet sociale, ku bënte me dije largimin nga Lushnja, siç shprehej ai vetë, kundër dëshirës.

“Nuk jam më pjesë e ekipit, edhe pse kundër dëshirës sime. Nga trajneri më është komunikuar që nuk bëj pjesë në planet e tij”, shkruante Xhafa i zhgënjyer, duke krijuar idenë e një polemike. “Panorama Sport” ka kontaktuar me Xhafën dhe ai ka theksuar se nuk ka asnjë personale me asnjë njeri dhe se dëshiron më të mirën për Lushnjën: “Nuk kam asnjë inat personal. Doja të vazhdoja me Lushnjën, por nuk varej vetëm prej meje, duhej edhe dëshira e palës tjetër. Trajneri më tha se nuk jam pjesë e planeve të tij, kështu ka vendosur ai dhe është diçka normale. Pa hipokrizi uroj që Lushnjën ta shoh në Superiore, sepse kjo skuadër dhe ai qytet meritojnë më shumë. Me apo pa Xhafën, Lushnja duhet të jetë në vendin që meriton. Jam tifoz deri në vdekje i Lushnjës. Nuk kam çfarë të them më shumë. Për të ardhmen do të shoh se çfarë mund të bëj”, u shpreh Xhafa, i cili ka luajtur me shumë skuadra në futbollin shqiptar.

BUFASI

33-vjeçari Bufasi luan në stadiumin “Roza Haxhiu” që nga shtatori i vitit 2013. Shtatlarti lushnjar ka qëndruar, pasi e ka rinovuar çdo vit kontratën, por këtë sezon gjërat kanë shkuar ndryshe.

“Nuk do të jem pjesë e Lushnjës për sezonin e ri. Jam lojtar i lirë, pasi më ka përfunduar kontrata. Falënderoj presidentin Fatos Tushe për korrektësinë për pjesën financiare. Po shoh 2-3 oferta dhe vij pas një sezoni të mirë te Lushnja, ku pas dy fazave të para pata një aktivizim të plotë në pjesën më të rëndësishme të sezonit. Falënderoj tifozët e Lushnjës që më kanë duartrokitur. Për sezonin e ardhshëm jam duke parë një zgjedhje tjetër”, është shprehur qendërmbrojtësi Bufasi. Futbollisti lushnjar e ka mbështetur karrierën te Lushnja dhe te Pogradeci, por ka luajtur edhe për Kamzën dhe Partizanin.

Reagon trajneri Gjyla: Ja e vërteta e dy largimeve

Trajneri i Lushnjës, Ilir Gjyla, ka folur për zhvillimet e fundit në ekip, duke prekur temat e strukturës së re dhe largimin e dy mbrojtësve Erjon Xhafa dhe Franci Bufasi, të cilët i ka falënderuar për atë që kanë dhënë me fanellën verdhejeshile: “Rivalët tanë nuk do t’i marrin futbollistët nga hëna. Me këta që janë këtu në Shqipëri do të “gatuhemi”. Është shpejt për të folur se çfarë do të bëhet, kampionati do edhe dy muaj të fillojë. Ajo që më pëlqen është se çfarë do të vijë prapa këtij kampionati, mendoj se janë vënë pikat mbi “i” nga FSHF-ja. Në këtë moment kemi parasysh kush jemi dhe çfarë kërkojmë. Jemi në fazën e bërjes së një grupi të mirë.

Kemi pasur dy afrime, Maganin dhe Ruçon. Kemi pasur kontakte edhe me futbollistë të tjerë, siç ishte edhe Broshka, por për një ofertë jashtë vendit nuk u konkretizua. Po punojmë. Futbollistët tanë nuk janë edhe aq profesionistë sa të kenë bërë edhe vetë stërvitje. Rrallë ata bëjnë pushime aktive. Portieri Haremi nuk është futbollisti ynë, është i Egnatias, por ka kërkuar të bëjë stërvitje me ne. Haremi është një djalë që ka dalë nga Lushnja.

Xhafa dhe Bufasi? Duhet të jemi me një mendim më të qetë. Shpesh diskutohet ose debatohet dhe mendoj se Ilir Gjyla apo çdo trajner tjetër nuk përjashton njeri nga futbolli. Çdo njeri është i lirë të shkojë kudo. Ka shumë futbollistë që janë pa skuadër. Mendoj se çdo fillim e ka dhe një fund. Një trajneri që i është caktuar të bëjë një punë, i është caktuar një objektiv, zgjedh skuadrën e tij. Të dy futbollistët dua t’i përshëndes për atë çka i kanë dhënë Lushnjës. U mundova t’ua them sa më shpejt, që t’i lëmë të lirë. Asnjë ekip i Kategorisë së Parë nuk e ka filluar stërvitjen. I falënderoj për atë çka i kanë dhënë Lushnjës dhe i uroj të vazhdojnë të luajnë futboll”, ka theksuar trajneri Gjyla.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"