Firmosin edhe Zeqiri, Veliu e Abilaliaj me Flamurtarin. Gjoka: Nuk pres më blerje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2013 | 13:40

Firmosin edhe Zeqiri, Veliu e Abilaliaj me Flamurtarin. Gjoka: Nuk pres më blerje

Gjoka Ernest drejton seancen ne TurqiPas nënshkrimit të kontratave mes futbollistëve dhe klubit, edhe trajneri Ernest Gjoka konfirmon grupin e lojtarëve që do të ketë në dispozicion për këtë sezon. Kreu i pankinës vlonjate i shikon të pakta mundësitë për afrime të reja, ndërsa beson te grupi aktual. “Do të jetë e vështirë të mendoj për afrime të tjera. Ne do të fillojmë kampionatin me grupin që kemi dhe kam besim se do të shkojë çdo gjë shumë mirë. Nëse vlerësojmë maksimalisht çdo ditë stërvitore dhe çdo kundërshtar, do bëjmë një paraqitje mjaft të mirë, të paktën deri në dhjetor. Merkatoja mund të jetë e hapur apo e mbyllur, kjo pak rëndësi ka për momentin, pasi boshti i ekipit janë futbollistët që kemi sot në dispozicion”, – ka deklaruar trajneri Gjoka për “Panorama Sport”. Sa i përket repartit sulmues, kreu i pankinës konfirmon se do të ishte mirë që të kishte edhe ndonjë lojtar tjetër cilësor, por flet me superlativa për Pepën. “Sigurisht që kemi kërkuar sulmues. Unë gjithmonë kam kërkuar sulmues për t’i bërë partnerin Pepës, i cili është futbollist në rritje dhe unë kam besim tek ai. Nëse do të ishte një sulmues tjetër me parametrat që kërkohen, do të na bënte më mirë dhe do të na forconte më shumë”. Ndeshja e parë e kampionatit do të jetë kundër Vllaznisë dhe vlonjatët presin që të jetë një duel mjaft i vështirë. “Gjatë gjithë kësaj kohe ne kemi punuar me seriozitet dhe përkushtim të madh. Lojtarët janë të karikuar për të dhënë maksimumin në fushën e lojës. Ndeshja e parë ndaj Vllaznisë do të jetë mjaft e vështirë, pasi kundërshtari ka futbollistë cilësorë. Edhe pse ata kanë kaluar gjithashtu një moment të vështirë, mendoj se dueli nuk ka për të qenë i lehtë. Gjithsesi, ne do kërkojmë vetëm fitoren dhe jam optimist se do realizojmë një ndeshje mjaft të mirë. Na pret një edicion i gjatë dhe me shumë pengesa për të kaluar, por ne jemi të vendosur për të dhënë më të mirën e mundshme”, – përfundoi Ernest Gjoka.

Flamurtari-pi-birraFirmosin edhe Zeqiri, Veliu e Abilaliaj
Ka vazhduar dje, në ditën e dytë, nënshkrimi i kontratave në klubin e futbollit Flamurtari. Kapiteni Franc Veliu dhe mesfushori Hair Zeqiri kanë firmosur dje një kontratë njëvjeçare me klubin kuqezi, duke u rikonfirmuar edhe për një sezon tjetër. Gjithçka konfirmohet për gazetën nga drejtori sportiv i klubit, Ardi Behari. Kontratë njëvjeçare ka firmosur edhe Halim Begaj me Arbër Abilaliajn. Ndryshe nga lojtarët, të cilët janë baza e ekipit, që firmosën për një sezon, lojtarët e rinj që vijnë nga ekipet e moshave të Flamurtarit kanë firmosur një kontratë afatgjatë, 3-4 sezone, duke qenë në planet e klubit për të ardhmen. Me firmat e djeshme, është zyrtarizuar kështu edhe grupi i futbollistëve. Futbollistët që firmosën dje janë: Franc Veliu, Hair Zeqiri, Dejvi Bregu, Ardi Qejvani, Lorenc Shehaj, Alvaro Bishaj, Arbër Abilaliaj, Halim Begaj, Ergys Kuqi dhe Varjon Xhani.
ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"