Finlandezët e befasuan Spanjën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2013 | 9:42

Finlandezët e befasuan Spanjën

SpanjaSpanja bën një hap fals në shtëpi, duke barazuar me rezultatin 1-1 ndaj Finlandës. Përgjatë 90 minutave janë “furitë e kuqe” që kontrollojnë lojën, por në fund nordikët ia dalin të shënojnë një gol që shokon kampionët në fuqi të botës dhe Europës. Për më tepër, skuadra e drejtuar nga Vinsente Del Boske tashmë lë vendin e parë dhe zbret e dyta në renditje. Për teknikun, e djeshmja qe një sfidë e veçantë, pasi ai u bë njeriu që ka më shumë ndeshje në stolin e përfaqësueses së Spanjës. Por sigurisht që përfundimi nuk është ai që kishte dëshiruar. Iberikët do të tronditen në minutën e 19-të, kur Puki shndërron në gol aksionin e vetëm të miqve në portën kundërshtare. Që të mund të rikthehen sërish në pozitat e tyre, spanjollët duhet të fitojnë në ndeshjen e madhe ndaj Francës, e cila do të luhet të martën në Paris. Ata kanë 8 pikë, kurse “gjelat” dy më shumë. Tensionet e fundit që përfshinë teknikun spanjoll, sa i përket marrjes jo të merituar të çmimit si trajneri më i mirë nga UEFA, duket se kanë lënë shenjë edhe në përfaqësuese. Në fushë luajti gjatë gjithë takimit edhe futbollisti me origjinë shqiptare, por me nënshtetësi finlandeze, Përparim Hetemaj. Në minutën e 55-të Spanja pretendoi për një penallti.
Ramosi nuk mjafton – Që në fillim të takimit finlandezët janë në një situatë të vështirë, me vendësit kërkues të golit. Moisander rrezikon të shënojë në portën e vet, duke detyruar Menpan që të ndërhyjë për të shmangur autogolin. Për më pak se 5 minuta, spanjollët janë zotër të fushës. Ekipi i Del Boskes zotëron gjysmëfushën kundërshtare dhe zbavit me lojën që bën. Iniesta merr duartrokitjet me lojën e tij, ndërkohë që rastet e humbura nga Fabregas e Kazorla në minutat 16 dhe 24 i paraprijnë golit që do të vijë në pjesën e dytë, shënuar nga mbrojtësi Serxho Ramos, i cili mbajti shiritin e kapitenit. Për të ishte një sfidë e veçantë, pasi ai shënoi 100 paraqitje me kombëtaren. Dhe goli i realizuar ishte mënyra më e mirë për ta festuar këtë. Lojtari merr duartrokitjet, ndërkohë që dhe oletë e tifozëve nuk mungojnë. Atmosfera është e bukur, por tifozët fishkëllejnë kur Del Boske vendos të heqë nga loja David Vijën dhe të fusë Negredon. Për mbështetësit vendës ai është idhulli i tyre. E ndërsa kishin mbetur edhe 11 minuta nga përfundimi i sfidës, të gjithë ngrijnë. Për këtë është faji i finlandezit Puki, i cili shfrytëzon rastin e vetëm të të gjithë takimit për miqtë, ndërsa mposht Valdesin me gjuajtjen me majën e këmbës. Spanjollët rrisin sërish presionin në kërkim të golit të fitores dhe Negredo ka dy mundësi në fund të lojës që t’i sjellë buzëqeshjen Spanjës, por muri finlandez reziston.

SERXHO RAMOS
Mbrojtësi i Spanjës, Serxho Ramos, ka qenë tepër kritik me ekipin pas barazimit të marrë nga Finlanda. “Kjo ndeshje është një turp. Ne e kishim në kontroll sfidën dhe ishim drejt fundit. Nuk jemi të kënaqur, sepse na dukej sikur mund të shënonim, por treguam më tepër besim tek vetja seç duhet. Ne ishim të qetë për pjesën më të madhe të sfidës, por u treguam të pasaktë para portës. Nuk e kishim mendjen te Franca, pasi kjo e sotmja (dje) ishte një përballje me rëndësi”, – tha futbollisti.

DEL BOSKE
Trajneri Vinsente Del Boske është i befasuar nga barazimi i marrë në shtëpi me Finlandën. “Mua më duket e pamundur që e dominuam pjesën e parë e të dytë dhe pastaj barazuam. Mund të ishim më të suksesshëm përpara portës. Por ne kemi katër ditë përpara se të luajmë ndeshjen e dytë. Pra, kemi kohë të përgatitemi. Unë mendoj se dështuam në finalizim për të realizuar golin e dytë. Ata u mbrojtën mirë dhe ajo që ne na dukej e pamundur u bë. Ne e bëmë këtë”, – deklaroi spanjolli.
Përgatiti: IRGIS HYSENAJ

FABREGAS
Mesfushori spanjoll ishte i pakënaqur pas sfidës. “Tani na duhet që të fitojmë të martën. Në këtë mënyrë situata do të jetë ndryshe. Nesër (sot) titujt e gazetave do të jenë negative, por është në dorën tonë ta hedhim pas këtë situatë. Nuk kemi luajtur kurrë më parë kështu. Kur 10 lojtarë futen në zonën e rreptësisë gjërat bëhen të komplikuara, e vështirë të gjesh hapësirat, por ne duhet të vazhdojmë. Tani duhet të stërvitemi mirë, të pushojmë e të jemi gati për sfidën me Francën”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"