Financat/ Bashkia miraton buxhetin, 360 milionë lekë për Maliqin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2019 | 18:07

Financat/ Bashkia miraton buxhetin, 360 milionë lekë për Maliqin

Skuadra e Maliqit e mbylli vitin 2019 në vendin e dytë, në Grupin B të Kategorisë së Dytë, me diferencë 3 pikë nga kryesuesit e Tomorit. Skuadra juglindore ka si objektiv këtë sezon ngjitjen historike në Kategorinë e Parë, në të cilën Maliqi nuk ka qenë asnjëherë në historinë e tij.

Maliqi

Për të synuar ngjitjen një kategori më lartë, duhen patjetër dhe financa të shëndosha. Kjo gjë nuk i ka munguar maliqarëve në sezonet e fundit, teksa kanë qenë ndër klubet më korrekte në Kategorinë e Dytë, duke paguar në kohë lojtarët dhe stafin drejtues. Këtë sezon atmosfera në kampin juglindor duke më pozitive! “Panorama Sport” mëson se së fundmi Bashkia e Maliqit ka miratuar fondin prej 360 milionë lekë të vjetër për sportin.

Një shifër goxha e konsiderueshme për një klub si Maliqi. Nga këto 250 milionë lekë do të jenë për rikonstruktimin e fushës sportive “Jovan Asko”, ndërkohë që 110 milionë lekë do të jetë buxheti i klubit për sa i përket pagave të futbollistëve dhe stafit, si dhe akomodimi i skuadrës në ndeshjet që do të zhvillohen në transfertë.

Maliqi

Në muajin mars do të nisin punimet në fushën sportive të Maliqit, teksa duke filluar nga sezoni i ardhshëm, maliqarët ndeshjet brenda do t’i zhvillojnë në tapet sintetik, duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë problemit të terrenit që është kthyer në gangren. Në stinën e dimrit, për shkak të reshjeve të borës dhe të shiut, fusha e Maliqit, shpeshherë shndërrohet në një moçal, dhe është thuajse e pamundur të luash një ndeshje normale.

ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"