Finalja vlen 20 milionë, karikohen te Elbasani. Ndaj Vorës kërkohet fitorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2018 | 18:13

Finalja vlen 20 milionë, karikohen te Elbasani. Ndaj Vorës kërkohet fitorja

Elbasani nuk i ka mbyllur ende hesa pet me Kategorinë e Dytë, edhe pse të dielën arritën të siguronin matematikisht ngjitjen në Kategorinë e Parë. Për të plotësuar një sezon perfekt, verdhebluve u mbetet edhe një ndeshje finale për të luajtur, ajo me Vorën të enjten në “Selman Stërmasi”. Elbasanasit shkuan përtej limiteve këtë sezon, duke ia dalë ta mbyllnin në krye dhe pa asnjë humbje, por prova e vërtetë pritet që të luhet në përballjen me Vorën, për t’u shpallur edhe kampion i Kategorisë së Dytë. Më shumë sesa një trofe morali, që nuk është se elbasanasit i gëzohen shumë, në mes janë… paratë.

elbasani

MILIONAT

Shpërblimi i FSHF-së për kampionen e Kategorisë së Dytë është 20 milionë lekë të vjetër, një shumë e konsiderueshme për një skuadër të Kategorisë së Dytë. Gjatë sezonit që sapo lamë pas, verdheblutë kanë pasur mjaft probleme me paratë, me lojtarët që kanë marrë vetëm tri rroga dhe ndonjë premio të vogël. Duke parë ngërçin financiar në kampin verdheblu, për shkak të paqartësisë me aksionet, fitimi i këtij trofeu shihet si një mundësi e mirë nga vetë lojtarët për të mbushur sadopak xhepat. Për këtë arsye, pritet që motivimi në kampin elbasanas të jetë i madh dhe të synojnë me çdo kusht fitimin e këtij trofeu. Nuk është se kampion i Kategorisë së Dytë i shkon shumë për shtat një klubi si Elbasani, por kur në mes janë milionat, situata ndryshon shumë.

DISHANI

Një nga lojtarët që ka spikatur këtë sezon me skuadrën e Elbasanit ka qenë edhe qendër mbrojtësi i të rinjve që ka luajtur me ekipin e parë, Enis Dishani. Në një prononcim për “Panorama Sport”, 19-vjeçari pohon se është bukur ta nisësh karrierën me një trofe, edhe pse në Kategorinë e Dytë. “Për një lojtar që është në fillim të karrierës, është bukur ta nisësh me një trofe, edhe pse Kategoria e Dytë nuk i shkonte për shtat një ekipi si Elbasani. Përpara kemi edhe finalen me Vorën dhe jam i bindur që do e mbyllim sezonin me fitore, duke e mbajtur kolonën e humbjeve zero deri në fund”, u shpreh në prononcimin e tij për gazetën një nga lojtarët që është vënë menjëherë në lupën e skuadrave të tjera në vendin tonë.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"