“Finalja” për ngjitjen në Superiore, Kapllanaj: Bylisi më i mirë, Tirana nuk i ka pikët reale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2018 | 11:32

“Finalja” për ngjitjen në Superiore, Kapllanaj: Bylisi më i mirë, Tirana nuk i ka pikët reale

Bylis do të presë sot, në orën 14:00, në Ballsh, Tiranën në një përballje të rëndësishme për ecurinë e të dyja ekipeve këtë sezon. Ballshiotët janë rivali i drejtpërdrejtë i bardhebluve këtë vit dhe do të kërkojnë të marrin 3-pikëshin për t’iu afruar edhe më shumë skuadrës.

Bylis-Tirana para ndeshjes se Kupes

KAPLLANAJ

Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, i cili zotëron 75% të aksioneve të klubit, në një prononcim për gazetën shprehet: “Sot është një ndeshje radhe, kam besim te lojtarët e mi sepse janë ata që e kanë mundur Tiranën në mes të kryeqytetit dhe kanë dhuruar spektakël të vërtetë.

Ne vijmë pas një fitoreje mjaft të çmuar në Pogradec, një tjetër transfertë mjaft e vështirë. Kështu që edhe Tirana është njësoj si Pogradeci apo ndonjë skuadër tjetër. Unë besoj se ne do të fitojmë sepse kemi skuadrën më të mirë, madje e them publikisht në media se kam një nga skuadrat më të mira që unë kam ndërtuar.

Kapllanaj

E kemi të qartë edhe ne se Tirana është favorizuar për të mos folur për gjykimin në ndeshjen tonë apo dhe në takimet e tjera. Në Peqin shënojnë dy gola të parregullt, me Tomorin marrin penallti apo dhe kundërshtari dënohet pse feston. Pra, janë disa fragmente që duken pa rëndësi, por ama krijojnë precedent dhe ndikojnë në rezultat, ndaj gjyqtarët duhet që të kenë kujdes sepse dashur pa dashur ndikojnë!

Futbolli nuk luhet me emër sepse po të ndodhet kështu, në Angli nuk duhej që të dilte Leiçesteri kampion, por gjithmonë ekipet me shumë emër. Pra, duhet hequr dorë nga fanella apo tradita, kush investon dhe kush e meriton, duhet që të ndihmohet të ecë përpara dhe jo t’i vihen shkopinj nën rrota’.

kapllanaj

Unë di të them që Tirana nuk i ka pikët reale, kurse Bylisi është këtu me meritë. Prandaj edhe opinioni, mediat apo kushdo, duhet që të kenë pak më shumë respekt për Bylisin sepse ne nuk e kemi hapur ‘krahun’ si shumë ekipe. Ne investojmë dhe luftojmë deri në javën e fundit. Këtë do të bëjmë edhe këtë sezon”, përfundoi Kapllanaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"