“Finalja” me liqenorët/ Luftëtari, pa tifozë në Pogradec

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2016 | 10:22

“Finalja” me liqenorët/ Luftëtari, pa tifozë në Pogradec

Luftëtari merr një lajm jo të mirë për para ndeshjes “finale” ndaj Pogradecit rival. Klubi gjirokastrit ka konfirmuar dje se në këtë transfertë delikate nuk do të ketë mbështetjen e tifozëve.

13077046_1013413682071123_2078264067998049471_n“Pas komunikimit me Policinë e Shtetit dhe Federatën Shqiptare të Futbollit, u vendos që të mos ketë grupim tifozësh të organizuar nga klubi për të udhëtuar në ndeshjen e Pogradecit.

Nuk do të ketë, pasi stadiumi ku do të luhet ndeshja ka një numër të limituar vendesh dhe nuk garanton siguri për tifozët miq”, citonte dje klubi gjirokastrit përmes një komunikate në faqen zyrtare në “Facebook”. Ndërkohë, mësohet se stadiumi “Gjorgji Kyçyku”, ku nesër do të luhet kryendeshja e grupit B, ka të licencuar vetëm tribunën qendrore, ndërsa në sektorët e tjerë të impiantit policia nuk merr përsipër sigurinë.

Kjo penalizon shumë tifozët bluzi, të cilët ishin bërë gati për të udhëtuar masivisht drejt qytetit liqenor. Grupimi “Shqiponjat Bluzi” ka shprehur keqardhjen për këtë vendim, por gjithsesi shpresohet se kjo ndeshje që vendos fatin e skuadrës që do të ngjitet në Superiore, do të transmetohet direkt në TV.

Në Gjirokastër besojnë se skuadra e Gerd Haxhiut nuk do ta diskutojë ngjitjen në Kategorinë Superiore. Situata Për të mbajtur të përqendruar skuadrën, por edhe për të evituar polemikat në media, dje klubi gjirokastrit ka urdhëruar heshtje për shtyp.

Fitorja bindëse në mesjavë ndaj Lushnjës me shifrat 3-0 ka mbajtur lart moralin e bluzinjve, të cilët shkojnë të karikuar në Pogradec. Të vetmen humbje në kampionat, skuadra gjirokastrite e ka kundër liqenorëve, por këtë herë luhet një finale për ngjitjen dhe Luftëtari nuk do që të humbasë shansin e artë.

Dje trajneri Gerd Haxhiu menjëherë ka zbritur në fushë, duke mbajtur në tonus lojtarët. Për fat të mirë, në dispozicion të stafit teknik është i gjithë grupi i futbollistëve. Fakti që nuk ka mungesa, e shton edhe më shumë besimin, pasi dihet që Luftëtari ka një grup të kompletuar lojtarësh.

TOMORR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"