Finalja europiane në “Air Albania”, reagon Duka: Historike dhe dhuratë e çmuar për Shqipërinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2020 | 23:37

Finalja europiane në “Air Albania”, reagon Duka: Historike dhe dhuratë e çmuar për Shqipërinë

“Air Albania” do të mirëpresë finalen e madhe europiane të “Conference League” në vitin 2022. Ky vendim madhështor u mor nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s i mbledhur sot përmes video-konferencës. Kjo është hera e parë në historinë e sportit shqiptar që vendi mirëpret një finale europiane të këtyre përmasave.

air albania

Për këtë ka reaguar edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili e konsideron si diçka historike këtë dhe një dhuratë të çmuar për Shqipërinë.

“Tre dhjetor 2020, një tjetër datë historike për futbollin dhe për Shqipërinë! Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi t’i besojë FSHF-së organizimin e finales së parë të kompeticionit më të ri europian ‘UEFA Conference League’ në vitin 2022 në stadiumin ‘Air Albania’.

Kjo është një ngjarje e rëndësishme për futbollin, Tiranën dhe Shqipërinë! Për këtë duhet të ndihemi të gjithë krenarë. Është gjithashtu edhe një dhuratë e çmuar për Shqipërinë dhe shqiptarët, që më në fund mund të gëzojnë pas shumë peripecish të kaluara, që nga tërmeti e deri te pandemia Covid-19 që po përjetojmë. Urojmë që ky lajm t’i hapë rrugën lajmeve të tjera pozitive për shqiptarët.

DUKA

Dua të falënderoj administratën e FSHF-së për plotësimin e qindra formularëve, pyetësorëve dhe dosjeve për aplikimin, duke treguar profesionalizëm, seriozitet dhe përkushtim e duke bindur anëtarët e KE-së. Dëshiroj që t’i falënderoj të gjithë ata që besuan te ne. Por kjo është një ditë e madhe për të gjithë.

Dëshiroj që të falënderoj me këtë rast, drejtuesit dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, për mbështetjen dhe besimin që na dhanë.

Dua t’i garantoj se ne do të bëjmë maksimumin për një organizim perfekt të finales. Shqipëria dhe shqiptarët shquhen për mikpritje, të cilën do të kenë mundësi ta demonstrojnë akoma më shumë në këtë rast. Ju mirëpresim në Tiranë me shumë kënaqësi në maj 2022!”, shkruan Duka.

duka

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"