Finalja e së Tretës, peng i vendimeve disiplinore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2015 | 17:54

Finalja e së Tretës, peng i vendimeve disiplinore

Kat 3Edhe pse ka rreth 11 ditë që ka përfunduar kampionati i Kategorisë së Tretë dhe skuadra e FC Kevitan ka siguruar vendin e parë në Grupin A, ende nuk dihet se kush do të jetë kundërshtari i Grupit B për ndeshjen finale.

Peng ka mbetur një vendim i Komisionit të Disiplinës pranë FSHFsë lidhur me një takim të dy skuadrave kandidate të këtij grupi, zhvilluar më 15 maj ndërmjet Tirana Internacional dhe Rubikut. Ky takim ka përfunduar 1-0 në favor të skuadrës së Tirana Internacionalit, me golin e shënuar nga Melsi Shkreta në minutën e 74-t.

Pas këtij takimi, ka pasur një reklamim nga ana e Rubikut për një futbollist kundërshtar që është aktivizuar gabimisht duke mos qenë i federuar. Bëhet fjalë për Endri Muratin që është aktivizuar vetëm në 45 minutat e para dhe drejtuesit rubikas pretendojnë se ai nuk është futbollist i Internacional. Lojtari në fjalë është zëvendësuar me futbollistin Aurel Dini me fillimin e pjesës së dytë. Nëse do të vërtetohet ky fakt, atëherë në bazë të rregullores për të tilla raste, fitorja i jepet ekipit kundërshtar në tavolinë 3-0.

Kështu që, në një rast të tillë, skuadra e Rubikut do të bëhet kryesuese e tabelës dhe do të ishte finalistja e Grupit B duke siguruar edhe ngjitjen në Kategorinë e Dytë. Në bazë të renditjes, duke mos e llogaritur ndeshjen e fazës së dytë Tirana Internacional-Rubiku 1- 0, skuadra e Rubikut del në krye të tabelës së Grupit B me 49 pikë, një pikë më shumë se Tirana Internacional. Por, aktualisht, është Internacional në vend të parë me 51 pikë. Nëse Komisioni i Disiplinës do të japë verdiktin e fitores në tavolinë 3-0 për ekipin e Rubikut, atëherë do të jetë ky ekip që shkon në 52 pikë dhe merr kreun, në një kohë që Tirana Internacional mbetet në 48 pikë. Tashmë, gjithçka është në dorë të komisioneve të FSHF-së.

Përgatiti: Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"