Finalja e “Play-Out”-it ndaj Egnatias, flet mesfushori i Korabit: Sezon gati perfekt, ta kalojmë edhe këtë pengesë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2022 | 13:58

Finalja e “Play-Out”-it ndaj Egnatias, flet mesfushori i Korabit: Sezon gati perfekt, ta kalojmë edhe këtë pengesë

Ashtu si tri ditët e fundit, edhe të dielën Korabi është stërvitur në Peshkopi. Ushtrime, lojëra me dhe pa top e shumë gjuajtje në portë. Lojtarët kanë bërë prova jo vetëm me goditje standarde, por edhe nga pika e penaltitë.

XHYNEJT CUTRA 1

Stafi teknik nuk dëshiron që t’i lërë asgjë rastësisë, ndaj ka marrë masat edhe për shtesën. Në rast se 90-minutëshi i rregullt mbyllet pa fitues, dibranët nuk duan që të jenë të papërgatitur. E thënë ndryshe, gjithçka është gati për Egnatian. Pasi likuiduan Tomorin dhe Apoloninë, tashmë ngjitja kalon nga Rrogozhina.

Xhynejt Çutra është tepër optimist para kësaj finaleje. Ai beson se mund t’ia dalin dhe e quan më shumë se normale që të “ëndërrojnë” elitën, kur kanë zhvilluar një kampionat kaq perfekt.

Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, mesfushori i përvojës thotë se janë përgatitur deri në detaje për “play off”-in.

“Ka qenë një sezon fantastik. Përtej ndonjë luhatjeje të vogël, kampionatin e mbyllëm në vendin e tretë. Për fazën ‘play off’ nuk kemi çfarë të themi, pasi kaluam me sukses Tomorin në shtëpi dhe më pas Apoloninë në ‘Niko Dovana’.

Ngjitja është vetëm një finale larg, ndaj të gjitha energjitë i kemi përqendruar tek Egnatia. Shpresoj që t’ia dalim edhe me rrogozhinasit. Nuk kemi pse të mos besojmë, kur kemi pasur një rrugëtim të tillë dhe gjithçka e kemi merituar. Stërvitjet po ecin më së miri dhe po kujdesemi që të marrim masat për çdo detaj.

Kundërshtari gëzon respektin tonë. Jemi të gjithë të mobilizuar për ta fituar këtë sfidë. Edhe pse luhet në Rrogozhinë, ne nuk do të jemi vetëm. Do të kemi edhe mbështetjen e tifozëve tanë. Me ta do të jetë më e lehtë gjithçka, pasi na frymëzojmë”, tha Çutra, futbollisti me një eksperiencë të gjatë në Kategorinë e Parë dhe në Superiore.

FATMIR ZHUZHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"