Finalja e “Play-Out”-it, Bledar Lila: Kujdes Korabin, gabimet të ndaluara!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2022 | 12:59


Finalja e “Play-Out”-it, Bledar Lila: Kujdes Korabin, gabimet të ndaluara!

Egnatia nuk ka ndjekur ritualin e zakonshëm pas Dinamos. Nuk ka pasur kohë për pushimin 24-orësh, siç ndodh rëndom pas një ndeshjeje. Rrogozhinasit kanë vijuar normalisht përgatitjet, madje me ritëm të lartë.

Lila Egnatia

Nga e premtja dhe deri sot, janë përqendruar totalisht te finalja e “play out”- it. Të martën presin në shtëpi Korabin dhe kjo përballje përcakton zyrtarisht fatet e ekipit.

Trajneri Zekirija Ramadani nuk ka preferuar të zbulojë formacionin titullar, por logjikisht në fushë do të hedhë futbollistët më në formë. Gjatë këtyre ditëve është punuar edhe me penalltitë, pasi nuk duan që t’i lënë asgjë rastësisë.

KUNDËRSHTARI – Në Rrogozhinë e kanë marrë më shumë se seriozisht kundërshtarin. Dibranët kanë kaluar Tomorin e Apoloninë dhe pengesa e fundit për ta është pikërisht Egnatia. Këtë e thotë edhe Bledar Lila, gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”.

Mesfushori evidenton se rezultat do të kenë vetëm nëse i japin vlerësim maksimal Korabit.

“Një finale asnjëherë nuk mund të jetë si ndeshjet e zakonshme.

Në të tilla ballafaqime ato që përcaktojnë fatet e tyre, janë momente të veçanta në të cilat nuk duhet gabuar. Në këtë kuptim, ne po e përgatisim ndeshjen sikur përballë të kishim Tiranën dhe jo Korabin.

Vetëm një vlerësim i tillë dhe sakrifikimi nga minuta e parë deri në të 90′ do të krijonte garancitë, që Egnatia t’i gëzohet qëndrimit në Superiore”, u shpreh fillimisht peqinasi.

AVANTAZHET – Një faktor jo i vogël në favor të Egnatias është stadiumi. Ata do të luajnë në shtëpi dhe këtë e sheh si avantazh edhe Lila, që u bën thirrje tifozëve të jenë të shumtë.

“Është detyrim i dyfishtë për ne që t’i gëzojmë tifozët tanë jo vetëm me fitore, por mbi të gjitha me një lojë të bukur.

Por detyrimi më i madh mbetet ndaj presidentit Agim Demrozi, që përtej humbjeve dhe zhgënjimeve nga ne, vijoi të na trajtonte financiarisht duke na dhënë çdo qindarkë dhe në kohë.

Për të gjitha këto, e quaj tashmë një detyrim dhe jo sukses fitoren me Korabin dhe qëndrimin në Superiore”, përfundoi 21- vjeçari.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL