“Finalja” e parë me Teutën/ Kalendar “ferri”, Tirana duhet të mposhtë durrsakët për të mos u zhytur në renditje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2021 | 10:58

“Finalja” e parë me Teutën/ Kalendar “ferri”, Tirana duhet të mposhtë durrsakët për të mos u zhytur në renditje

Tirana ka një nga detyrat më të vështira. Sot në orën 13:00 duhet të mundë Teutën për të mos dalë nga çdo objektiv që ka këtë sezon. Me Kupën, së cilës i ka dhënë lamtumirën që në 2020-ën, Tirana duhet të kapë Europën nga kampionati. Sigurisht që ky është një mision i vështirë, por jo i pamundur.

tirana

Superskuadra e sezonit të shkuar ka ende mundësi që të ecë në renditje. Nuk po themi që do të shpallet kampione, por të paktën të mos dështojë si Partizani sezonin e kaluar. Janë edhe 51 pikë në lojë, ndërsa Tirana ka disa finale për të kaluar. E para, kundër Teutës. Nëse mund durrsakët, kalohet finalja e parë, ndonëse më pas janë Vllaznia, Bylisi, Kastrioti dhe Partizani. Halle ka sa të duash, me mungesa COVID-i e pezullimesh, por bardheblutë nuk kanë rrugë tjetër. Të fitojnë. Ndryshe sezoni i tyre është i kompromentuar…

STËRVITJA – Te Tirana shtohen forcat. Me skuadrën dje janë bashkuar trajneri Alfred Osmani dhe Agustin Torasa. Dyshja ka lënë pas problemet dhe ka nisur punën. Argjentinasi ka nisur vrapimet, ndërsa trajneri i portierëve i është bashkuar Tetovës. Stërvitja dje ka qenë e fokusuar më së shumti te taktika dhe goditjet inaktive, me trajnerët që kanë punuar shumë si me qendërmbrojtësit dhe Bekajn për të mos u lënë frymë kundërshtarëve në lojën e ajrit.

OLSI AVDIAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"