Finalja e ndryshimeve të mëdha, “gjelat” kanë muskuj e shpejtësi, kroatët kapen tek talentet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2018 | 22:14

Finalja e ndryshimeve të mëdha, “gjelat” kanë muskuj e shpejtësi, kroatët kapen tek talentet

Franca dhe Kroacia. Kroacia dhe Franca. Dy përfaqësuese me pak ngjashmëri, praktikisht dy anët e së njëjtës medalje, teksa në mes qëndron titulli i Kampionatit Botëror. Veteranët kundër të rinjve, historia kundër arritjes së madhe, ndalesat dhe prekjet e klasit, përballë muskujve dhe shpejtësisë. Dy ekipe dhe i njëjti objektiv me mënyrat për të arritur suksesin që ndryshojnë rrënjësisht mes dy ekipeve. Finalja e së dielës janë të gjitha këto, një mbyllje Botërori mes dy të ndryshmeve të mëdha.

france kroaci

DY RRUGË DREJT TË NJËJTIT DESTINACION

Udhëtimi i “Gjelave” përfundon të dielën, por nëse hedh vështrimin pas, sheh një rrugë të frikshme. Pengesa të mëdha si Argjentina e Mesit apo Uruguai i Suarezit, por pa Kavanin. Kur dukej se Franca mund të ndalej, belgët i dhanë fillesë festës së madhe poshtë Kullës Eifel. Kroacia tregoi forcën e vërtetë në ndeshjen ndaj Argjentinës. Tri shuplaka Mesit u dukën si një kompromis i shëmtuar i një ndeshjeje grupi, por Modriç me shokë nuk e kishin thënë ende fjalën e fundit. Rruga në fazën me eliminim u nxori pengesa brenda mundësive si Danimarkës, edhe Rusisë, që të dyja të kapërcyera mes emocionesh dhe force grupi. Kohët shtesë rezultuan përsëri fatsjellëse për kroatët që siguruan kualifikimin e tretë radhazi pas kohës së rregullt edhe ndaj Anglisë.

DY BREZA TË NDRYSHËM

Kroacia udhëhiqet nga dy mesfushorë veteranë: Luka Modriç (32 vjeç) dhe Ivan Rakitiç (30). Heroi i gjysmëfinales është një farë Mario Manxukiç, 32 vjeç. Duke hulumtuar në organikën e Zllatko Daliç, mund të vazhdojmë me 33 vitet e Subasiçit, 29 të Lovrenit dhe Vidas. Kroacia është një kombëtare me moshë mesatare mjaft të lartë, por kjo nuk i ka penguar të mbërrijnë aty ku ndodhen edhe më të rinjtë e turneut. Rini është lajtmotivi te Franca ku asnjë nga mbrojtësit titullarë nuk është mbi 25 vjeç, teksa në ekip është edhe një nga më të rinjtë e turneut, pikërisht ai Kilie Mbape, që po bën fenomenin me gola dhe paraqitje mbi normën që i lejon mosha.

PËRVOJË NË FINALE

Të dielën, Franca do të luajë finalen e saj të tretë në Kupën e Botës nga gjashtë të fundit. Vetëm një e fituar, në 1998, në shtëpi dhe një e humbur 12 vjet më parë. Në bilanc dhe një finale Europiani e humbur dy vjet më parë. Kroacia nuk mund të krenohet me asgjë. Një vend i tretë në 1998 është thuajse i pavlerë përballë historisë së francezëve. Koha për hakmarrje ka ardhur dhe nëse është e vërtetë që shijohet e ftohtë, atëherë Kroacia është në kohën e duhur (20 vite më pas) në vendin e duhur.

ZONË KRIJIMI KUNDËR ZONË SHKATËRRIMI

Nëse ka diçka te Kroacia që qëndron mbi pjesën tjetër, është mesfusha. Rakitiç dhe Modriç janë liderët kësaj skuadre, udhëheqësit shpirtërorë dhe të vërtetë në fushë. Futbolli me topin nën kontroll dhe teknika e shkëlqyer karakterizon stilin e djemve të Zllatko Daliçit. Në anën tjetër, ka shumë cilësi. Motori francez bazohet te muskujt e Pogbasë dhe te “benzina” Kante. Teknika, taktika dhe soliditeti në mbrojte janë ndër pikat e forta të Francës që shkatërron duke ndërtuar, ndryshe nga kroatët që janë më pragmatikë.

DIFERENCË STOLI

Nëse u hedhim një sy pankinave të dy ekipeve, ajo e Francës frikëson. Jo vetëm 23 të grumbulluar në Rusi, por edhe gamë të gjerë figurash që po shikojnë Kupën e Botës nga shtëpia. Te Kroacia, përtej zëvendësimit të Kovaçiçit dhe Kramariçit, nuk ka emra të tjerë të mëdhenj që mund të merren në konsideratë. Ndoshta Daliç mund të ketë një nga çelësat për finalen në pankinë, fundja një ekip finalist meriton respekt në tërësinë e tij.

FIGURA DHE EMRA TË NJOHUR

Nuk është sekret se Franca ka shumë futbollistë më të njohur, me një vlerë të tregut dhe një status më të lartë. Për të marrë një ide të vogël, formacionet titullare finaliste kanë një diferencë në vlerë prej 400 milionë eurosh (vlera të vendosura nga “transfermarkt.de”). Nëse formacioni kroat ka një vlerë prej 230 milionë eurosh, ai transalpin vlen 638 milionë euro, por në një finale milionat janë thjesht detaje…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"