Finalja e Champions-it, Ançeloti: Kam llogari të hapura me Liverpulin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2022 | 14:40

Finalja e Champions-it, Ançeloti: Kam llogari të hapura me Liverpulin

Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti, po përgatitet për finalen e tij të pestë në Ligën e Kampioneve. E cilido qoftë rezultati i finales së Parisit nesër në mbrëmje, tekniku italian e ka siguruar vendin e tij në historinë e këtij kompeticioni. Ai është i pari trajner që arrin të shkojë pesë herë në finalen e kompeticionit më prestigjioz në Europë në nivel klubesh.

ANCELOTI 1

Nëse gjërat shkojnë edhe më mirë për Ançelotin, pra tekniku 62-vjeçar arrin të triumfojë me Realin kundër Liverpulit, ai do të bëhej i pari trajner në histori që do ta fitonte për të katërtën herë Ligën e Kampioneve.

E ka bërë dy herë me Milanin në vitet 2003 dhe 2007, teksa e ka fituar në vitin 2014 edhe me Realin e Madridit, që është edhe skuadra aktuale e tij. Me titullin në Spanjë në xhep, aftësitë e tij të famshme në menaxhimin e lojtarëve e ndihmuan atë të kthente Realin në majën e futbollit spanjoll.

Por nëse do t’ia dilte të fitonte dhe Champions-in, sezoni i tij do të bëhej i paharrueshëm, teksa kujtojmë se Ançeloti e ka fituar Ligën e Kampioneve në dy raste edhe si lojtar me Milanin. Përpara finales së madhe nesër në mbrëmje, Ançeloti ka folur për “UEFA.com”.

ANÇELOTI PËR RIVALIN E FINALES – “Kujtoj se në karrierën time si lojtar dhe trajner në Ligën e Kampioneve jam përballur disa herë me Liverpulin. Hera e parë ka qenë në vitin 1984 në finalen e humbur në Romë. Nuk kam luajtur në atë takim sepse isha i dëmtuar. Më pas erdhën dy finalet me Milanin në vitet 2005 dhe 2007, kur isha trajner. Më pas rivaliteti mes meje dhe Liverpulit u nxeh edhe më shumë kur mora drejtimin e Evertonit.

Tani do të jemi sërish përballë. Ata kanë një skuadër të madhe, luajnë në nivele mjaft të larta, ndaj është një kënaqësi e veçantë përballja me ta.

Në vitin 2005, në finalen me Milanin, kam pasur skuadrën më të mirë që kam drejtuar ndonjëherë. Për fat të keq, në futboll ka situata të paparashikuara, që nuk mund t’i kontrollosh. Edhe sot e kam të vështirë ta shpjegoj. Sikurse e kam të vështirë ta shpjegoj se si shënuam dy gola në një minutë kundër Mançester Sitit me Realin. Por e mira është se në futboll të jepet gjithnjë një shans. Mua m’u dha me Milanin në vitin 2007″.

REVANSHI I LIVERPULIT – “Nëse Liverpuli po mendon revanshin për finalen e humbur në vitin 2018, te Reali po mendojnë për revanshin në finalen e humbur në vitin 1981. Për më shumë që luhet po në të njëjtin vend, në Paris. Unë mendoj se këto tema më së shumti janë gazetareske. Unë di të them se përballë do të jenë dy skuadra të mëdha dhe ajo që do të ketë më shumë kurajë e personalitet do të fitojë. Për më shumë përballë do të kem një trajner të shkëlqyer si Klop, me të cilin kemi marrëdhënie mjaft të mira. Një trajner që ka sjellë gjëra të reja në futboll”.

FINALJA E PESTË – “E kam menduar këtë gjë disa herë. Që nga finalja e parë kanë kaluar shumë vite, futbolli ka ndryshuar dhe unë për fat u jam përshtatur ndryshimeve.

Nga finalja e parë në vitin 2003 deri më sot ka pasur ndryshime të mëdha në botën e futbollit. Ka pasur mjaft ndryshime pozitive. Futbolli është gjithnjë shumë interesant dhe unë duhet t’u përshtatem ndryshimeve sepse unë e kam pasion këtë sport. Mendoj se ia kam arritur mirë dhe tani dua të shijoj një tjetër trofe me Realin e Madridit”, ka mbyllur Ançeloti.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"