Finalja e Botërorit 1998, Ronaldo rrezikoi të vdiste

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2012 | 9:10

Finalja e Botërorit 1998, Ronaldo rrezikoi të vdiste

Finalen e kampionatit Botëror të 12 korrikut të vitit 1998 Ronaldo nuk ka për ta harruar asnjëherë jo vetëm sepse Brazili nuk arriti që të shpallej kampion për herë të pestë në historinë e tij, por edhe sepse ai rrezikoi që të vdiste. Disa orë para se të niste sfida, lojtari kishte probleme të rënda shëndetësore. Ai u dërgua menjëherë në spital për të parë se çfarë arsyet e problemit, por mjekët gabuan në diagnozën e dhënë. Ata i dhanë lojtarit disa ilaçe që nuk kishin të bënin me sëmundjen e sulmuesit, i cili më pas zbriti në fushë për të luajtur. Të gjitha këto të fshehta i tregon profesor Bruno Karu, kardiolog me famë botërore, i cili pati mundësinë që të ekzaminonte të gjithë dokumentacionin mjekësor, të grumbulluar nga doktor Volpi mjek i Interit, i dërguar në Paris nga klubi zikaltër, pas sëmundjes që preku lojtarin. Doktori tregon se Ronaldo u përplas në tokë në dhomën e tij të hoteli, jo për shkak të një krize epileptike të ardhur nga stresi për paraqitjen në ndeshje, por për një problem kardiak.
Rrëfimi – Doktor Bruno Karu rrëfen se çfarë i ndodhi një prej sulmuesve më të mirë të botës atë ditë në Paris. “Ndodhi që Ronaldo u shtri në krevat për të ndjekur Çmimin e Madh të Formula 1 dhe pa e vënë re, përdrodhi kokën në mënyrë jo natyrale, duke shtypur një pikë nevralgjike në qafë që është përgjegjës për mekanizmat e reflekseve të rregullimit të ritmit kardiak dhe të presionit. Ronaldo pësoi kështu një rënie të menjëhershme të ritmit kardiak dhe të presionit dhe i ra të fikët, ndërsa pati dridhje në trup”. Ishte Roberto Karlos, i cili vuri re problemet e shokut të tij të dhomës dhe menjëherë kërkoi ndihmën e mjekëve. Ronaldo u dërgua drejt spitalit për një mjekim më të hollësishëm dhe u shtrua në repartin e neurologjisë. “Lojtari iu nënshtrua një sërë kontrollesh të hollësishme, por ashtu siç e dimë ne mjekët, një neurolog nuk humb kohë që të studiojë një elektro-kardiogram. Por, ndryshe, unë dhe doktor Volpi e bëmë, kur patëm në dorë të gjithë dokumentacionin. Në bazë të elektrokardiogramit, pasi kaloi krizën, Ronaldo kishte ritmin e zemrës 18 rrahje në minutë. Kjo do të thotë se gjatë momentit të krizës, ai nuk kishte pasur aktivitet elektrik dhe mekanik të zemrës”. Doktori sqaron arsyet e gabimit të kolegëve, por që mund të ishte fatal për brazilianin. “Mjekët ishin të mendimit se pacienti kishte probleme për shkak të epilepsisë, duke i dhënë atij një ilaç të fortë, shumë të mirë për epilepsinë, por jo për problemet e zemrës, që ishte Gardenale. Një ilaç i tillë është tepër i fortë dhe u përdor nga Merilin Monroe për t’u vetëvrarë. Efekti i tij është që të zvogëlojë deri në maksimum aktivitetin cerebral. E gjithë kjo shpjegon arsyen se pse Ronaldo bëri një ndeshje të keqe atë ditë ndaj Francës. Dhe, gjithashtu kjo shpjegon pamjet e brazilianit, që zbret nga avioni duke mos mbajtur ekuilibrin, si të ishte një i dehur dhe i paaftë që të mbante veten në këmbë”. Sipas mjekut të njohur kardiolog, sforcimi i tepërt i lojtarit mund t’i kishte shkaktuar probleme serioze atij, që për fat nuk u përkeqësuan.

Gjuri, shkak i rrënimit të Ronaldos
Pavarësisht se u përfol për probleme shëndetësore të lojtarit që nga finalja e Botërorit të vitit 1998, shkaku i vërtetë i rënies së tij ishte dëmtimi në gju. Më 21 nëntor të vitit 1999, gjatë një ndeshjeje të kampionatit me Leçen, lojtari dëmtoi tendinën e gjurit. Ai qëndroi jashtë fushave për 6 muaj. E kur u kthye sërish në fushë, në ndeshjen e kupës ndaj Lacios, gjuri rezistoi vetëm 6 minuta. Lojtari pati sërish të njëjtin problem në tendinë dhe iu desh t’i nënshtrohej një tjetër operacioni. Ai u rikthye në fushë në vitin 2001, por iu desh edhe ca kohë që të mund të luante gjatë gjithë takimit. Më pas, kaloi te Reali ku edhe fitoi kampionatin
I.Hysenaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"