Finalja Bajern-Frankfurt, Hejnkes: Nuk ia “fal” kupën Kovaçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2018 | 19:33

Finalja Bajern-Frankfurt, Hejnkes: Nuk ia “fal” kupën Kovaçit

Jup Hejnkes ka folur në konferencën për shtyp përpara finales së Kupës së Gjermanisë që do të luhet sot në Berlin. Për 73- vjeçarin ishte hera e fundit që qëndronte përpara gazetarëve.

hejnkes kovac

Sot finalja, si e keni përgatitur këtë ndeshje?

Un mendoj se ndeshje të tilla vendosen nga detaje si në fushë dhe jashtë saj. Duhet të shpresosh të mos humbasësh asnjë lojtar gjatë natës për shkak të ndonjë sëmundjeje përpara ndeshjes. Myler kishte një infeksion në stomak, në fillim u mendua një gjendje gripale, por më pas na rezultoi ndryshe. Por ai është rikuperuar dhe do të jetë me skuadrën në stërvitjen përpara ndeshjes. Besoj se mund ta nisë lojën nga minuta e parë, sepse siç e thashë infeksioni i ka kaluar dhe është në gjendje të mirë.

Si e komentoni tërheqjen e Vagnerit?

Ai është lojtari që vjen i pari në fushën stërvitore. Ai kishte ëndërr të luante për kombëtaren e tij. Por mendoj që ka reaguar shumë emocionalisht, duke u nxituar në fjalët për trajnerin dhe tërheqjen nga përfaqësuesja. Do të doja të ishte ndryshe, por ai kështu e ka parë të arsyeshme dhe ky është vendimi tij.

Si është gjendja e Nojerit dhe a do të rikthehet ai si më parë?

Ai është stërvitur mirë këto kohë dhe besoj që do të jetë gati. Manuel ka një prezencë, një autoritet në portë që nuk krahasohet me askënd. Mendoj që do të rikthehet shpejt në nivelin botëror. Kombi duhet të jetë shumë i qetë. Ai jo vetëm që do të rikthehet në formë të mirë, por do të jetë deciziv për Gjermaninë. Shoh që është stërvitur fort në sallën e forcave dhe gjithashtu me skuadrën.

Si është gjendja e Levandovskit, këto kohë është kritikuar shumë?

Di që mund të kritikohesh si qendërsulmues nëse nuk shënon gola. Nuk pajtohem me këto që po dëgjoj. Nuk mund të kritikosh një lojtar pafundësisht. Por ai nuk duhet të ndikohet nga kjo gjë, por përkundrazi duhet të kundërpërgjigjet me agresivitet ndaj kritikave dhe të shënojë sa më shumë në fushën e lojës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"